Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka reaguar në lidhje me aksidentin tragjik në Këlcyrë ku humbën jetën 8 persona, 7 shtetas të huaj dhe një shqiptar.
Ndër të tjera, Balla shkruan se Policia e Shtetit dhe ministria që drejton janë të përkushtuar për t’u përballur me plagën e trafikimit të migrantëve.
“Shumë i prekur nga aksidenti i rëndë mëngjesin e sotëm në Këlcyrë, ku humbën jetën shtatë shtetas të huaj, migrantë në kërkim të një jete më të mirë dhe një shtetas shqiptar, drejtuesi i mjetit të përfshirë në aksident.
Nga të dhënat paraprake rezulton se shkaku i aksidentit ka qenë përpjekja me shpejtësi tej çdo norme e drejtuesit të automjetit, për t’iu shmangur kontrollit policor në atë zonë.
Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit janë tërësisht të përkushtuara për tu përballur me plagën e trafikimit të migrantëve. Ky angazhim dëshmohet në politikat dhe strategjitë që po zbatohen, por edhe me angazhimin për t’u përballur me sfidat.
Në vitin 2023 Policia e Shtetit ka identifikuar 177 raste të kontrabandimit të emigrantëve, 9 raste të trafikimit të të miturve dhe 11 raste të trafikimit të personave, duke çuar në identifikimin e 330 autorëve të përfshirë, 147 prej tyre të ndaluar, duke shpresuar që prokuroritë dhe gjykatat të japin vendimet e shumëpritura, të cilat nuk e kuptoj pse vonohen.
Gjithashtu, prej disa vitesh oficerët e FRONTEX po kryejnë patrullime të përbashkëta me Policinë Kufitare Shqiptare në të gjitha pikat e kalimit kufitar”, shkruan Balla në Facebook.