Deputeti i Partisë Socialiste, Etjen Xhafaj thotë se dakordësia me opozitën për amnistinë penale, është arritur pavarësisht ndasive politike.

Në një intervistë për “Newsline” në ABC News, Xhafaj u shpreh se amnistia penale do të ketë impakt të gjerë dhe miratimi i saj do të jetë diçka pozitive.

“Kjo është në interesin e të gjithë publikut, jo vetëm atyre që janë të dënuar apo familjarëve të tyre, por edhe të gjithë taksapaguesve shqiptarë, duke qenë se kemi rreth 600 vetë të cilët do të përfitojnë nga lirimi, për vepra të cilat janë vepra të lehta penale. Përfshin deri në 5% të të gjithë veprave që parashikohen në Kodin Penal, ndërsa 95% të tjera, që janë vepra më të rënda, nuk do të preken absolutisht. Besoj se është diçka që ka impakt të gjerë, diçka pozitive. Ne kemi folur prej kohësh, prej disa javësh, për një komision që do të diskutojë ligje me shumicë të cilësuar. E kuptojmë dhe e kemi thënë që në fillim të kësaj legjislature, që ne mund të kemi përplasje politike, por nuk mund t’i lejojmë vetes të mos përfaqësojmë ata qytetarë që na kanë votuar. Ne duhet të jemi në gjendje të përgjigjemi pavarësisht interesave të vogla politike të momentit.

Besoj se duhet të kemi një diskutim të tillë. Nuk kemi të bëjmë vetëm me njërin grupim të opzoitës, është diskutuar gjerësisht, ka pasur diskutime me kolegët e të gjitha grupimeve parlamentare për të arritur në këtë konsensus, është në të mirën e të gjithë shqiptarëve”, theksoi ai.