Ministri i Brendshëm Taulant Balla zhvilloi një takim në gjimnazin “Halit Bërzeshta” në Prrenjas, ku foli për disa nga problematikat më shqetësuese për të rinjtë e sotëm siç janë përdorimi i lëndëve narkotike, bullizmi online dhe siguria në ambientet shkollore.
Balla nënvizoi se ideja e paketës së sigurisë në shkolla kishte nisur nga ky qark dhe se sot mund të krenohen me rezultatet e arritura. Ai kërkoi bashkëpunimin e të gjithë të rinjve, që bashkë me mësuesit, strukturat policore dhe ato vendore, të identifikojnë dhe ndalojnë personat që shesin drogë pranë ambienteve shkollore apo tjetër.
Në lidhje me çështjet e sigurisë në këtë gjimnaz, Balla vuri në dukje se kjo është një shkollë që ka një dalje drejtpërdrejt në një rrugë kombëtare. “Nganjëherë kemi pasur edhe raste aksidentesh automobilistike, që lidhen me përfshirjen e të rinjve apo banorëve të kësaj zone”, tha ministri.
Sa i përket luftës kundër shitjes dhe përdorimit të lëndëve narkotike, Balla theksoi se: “Ajo që është bërë më e njohur në kuadër të paketës së sigurisë në shkolla, është lufta kundër fenomenit të përdorimit të lëndëve narkotike, kryesisht të hashashit, por jo vetëm. Aktualisht kemi një sfidë tjetër që janë drogat sintetike”.
“Thirrja ime për të rinjtë e Përrenjasit, por edhe për të rinjtë e të gjithë vendit, është që droga është një kurth për shëndetin tënd, është kurth financiar për familjen tënde; droga të shkëput nga mësimi, të prish me shokët e shoqet, dëmton shëndetin tënd dhe atë financiar të familjeve tuaja. Kërkoj mirëkuptimin dhe bashkëveprimin tuaj, të gjithë faktorët bashkë, policia, oficeri i sigurisë, mësuesit, në mënyrë që të kemi sa më shumë informacion për t’i identifikuar, gjetur e vendosur para drejtësisë ata që duan të bëjnë biznes me shëndetin tuaj, duke dëmtuar financiarisht familjet tuaja”, u shpreh ai.
Duke folur për rezultatet e arritura, Ballai tha se “edhe në Përrenjas dhe në gjithë zonën që mbulon DVP Elbasan kemi pasur rezultate të mira, madje një prej koncepteve të idesë së paketës së sigurisë në shkolla filloi në Elbasan, si një hap i parë.”
Problematika tjetër që trajtoi ministri Balla, ishte bullizmi, qoftë në kontaktet e përditshme mes të rinjve, qoftë në rrjete sociale. Por ai kërkoi që viktimat e mundshme të sulmeve të mos ndihen vetëm por të reagojnë, pasi ata do të gjejnë mbështetje te strukturat policore, stafi arsimor etj.
“Bullizmi tashmë zhvillohet jo vetëm në kontakt të përditshëm, por edhe përmes rrjeteve sociale. Mjaft prej të rinjve e kanë shqetësim që dikush i hap një faqe false në TikTok dhe prej aty nis të publikojë të dhëna intime apo problematika të tjera, apo fillon të sulmojë dikë tjetër. Por për të gjitha këto problematika, mos mendoni se jeni vetëm, asnjëherë, por duhet ta raportoni atë qoftë përmes “report” që mund t’i bëni direkt asaj faqeje, por edhe te komisariati i policisë apo zyra të tjera, ose përmes oficerit të sigurisë në shkolla,” – theksoi ministri Balla.
Ai kërkoi nga të rinjtë që krahas mësimit të merren me sport, apo të zhvillojnë dhuntitë artistike, pasi në këtë mënyrë mund të mbajnë larg fenomenet negative si droga etj.
“Unë e di që të rinjtë e Përrenjasit do të zgjedhin sportin, arsimin, artin dhe jo këto fenomene. Shkolla “Halit Bërzeshta” është një shkollë me emër të rëndësishëm në formësimin e brezave të ndryshëm që kanë një kontribut jo vetëm për Përrenjasin, por unë do të thoja, për gjithë Shqipërinë. Më vjen mirë të them që shkolla ka ditur ta ruajë këtë emër të mirë, dhe na takon neve ta rrisim sa më shumë mbështetjen për këtë shkollë”, theksoi ministri Balla.
Balla falënderoi edhe institucionet e tjera të përfshira në zbatimin e paketës së sigurisë.
“Dua të falënderoj përfaqësuesit e AKU që kanë bërë kontrolle të vazhdueshme për dhënien fund të një halli që lindte shpesh, të ndalimit të shitjes të produkteve të skaduara pranë shkollave. Dua të apeloj që alkooli nën 18 vjeç është i ndaluar,” nënvizoi ndër të tjera Balla.