Takimi i 70-të i Komisionit për Europën të Organizatës Botërore të Turizmit solli në Tiranë edhe Ministrin e Turizmit të Izraelit, Haim Katz. Ai pati një takim kokë më kokë me ministren e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, në vijim të të cilit u nënshkrua edhe një deklaratë e përbashkët për rritjen e mbështetjes dhe bashkëpunimit midis dy vendeve në fushën e turizmit.
Ministrja Kumbaro vlerësoi qasjen e këtij vendi për iniciativa që promovojnë bashkëpunime dhe shkëmbime që promovojnë turizmin si urë lidhëse mes shteteve dhe njerëzve në këto kohë të vështira.
“Falenderoj ministrin Katz dhe më vjen mirë që kjo marrëveshje ka për qëllim nxitjen e bashkëpunimeve në shkëmbime të informacionit në nivel institucionesh, inovacioni, të edukimit turistik dhe në kuadër të bashkëpunimit me UNWTO promovon turizmin dhe udhëtimin si një urë lidhëse mes vendeve dhe njerëzve, një mesazh pozitiv në këto kohë jo të lehta”, u shpreh Kumbaro.
Ministri i Shtetit për Turizmin, Katz u shpreh se Shqipëria po bën një progres të madh në turizëm duke përgëzuar për organizimin e këtij takimi me politikanë e përfaqësues të turizmit nga kontinenti.
Gjatë vitit 2023, mbi 13 mijë turistë izraelitë e vizituan Shqipërinë. Në tre muajt e parë të 2024 53% më shumë turistë nga Izraeli se e njëjta periudhë e një viti më parë.
Këtë javë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit në bashkëpunim me Ambasadën e Shqipërisë në Izrael, nën sloganin “Albania All Senses” do të organizojnë edhe një takim promovues në Izrael me turoperatorë të këtij vendi.