Të gjithë deputetët e përjashtuar nga Lulzim Basha janë kthyer në grupin e Partisë Demokratike, përveç Sali Berishës.
Në një reagim për Report Tv, Kuvendi shpjegon se përse Berisha ka mbetur jashtë, duke theksuar se ai nuk ka qenë anëtar i grupit të PD që prej nisjes së legjislaturës.
Me kërkesë të Bardhit në grup janë kthyer të gjithë deputetët që kanë qenë anëtarë të grupit të PD që prej nisjes së legjislaturës më 10 shtator.
“Në datën 9 prill 2024 Kuvendi është njoftuar nga z. Gazment Bardhi mbi “Revokimin e të gjitha vendimeve për masa disiplinore të marra nga grupi gjatë kësaj legjislature.” Deputeti Sali Berisha, prej fillimit të legjislaturës, nuk ka qenë anëtar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.”
Sali Berisha u la jashtë grupit parlamentar të PD në nisje të legjislaturës nga Lulzim Basha me vendimin e 9 shtatorit që e përjashtonte nga grupi pas shpalljes së tij non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Prej asaj kohe, Berisha nisi luftën brenda PD së duke e çuar partinë në ndarjen më të thellë të saj.