Fitimet e investitorëve të huaj në Shqipëri kaluan nivelin e 1 miliard eurove dhe arritën nivelin më të lartë historik vitin e kaluar. Të dhënat e Bilancit të Pagesave tregojnë se të ardhurat e investitorëve të huaj në vitin 2023 arritën vlerën e 1.014 miliardë eurove, në rritje me 14.6% krahasuar me një vit më parë. Kjo shumë përfaqëson zërin e të ardhurave nga investimet në Bilancin e Pagesave dhe përfshin fitimet e shpërndara ose të riinvestuara të investitorëve të huaj në vendin tonë.
Nëse nga shuma totale e të ardhurave nga investimet zbresim vlerën e fitimeve të riinvestuara, shuma e tërhequr nga investitorët e huaj vitin e kaluar (në formën e dividendëve ose yield-eve nga investimet e portofolit) mund të llogaritet në 211 milionë euro, me një rritje prej 37% krahasuar me vitin 2022. Në kahun e kundërt, edhe flukset hyrëse të të ardhurave nga investimet (të ardhurat e ekonomisë shqiptare nga investimet jashtë vendit) për vitin 2023 u rritën në 200 milionë euro, 43% më shumë krahasuar me vitin 2022.
Megjithatë, bilanci neto i të ardhurave nga investimet ishte gjerësisht negativ në vlerën e 813 milionë eurove. Deficiti në këtë zë u rrit me 9.3% krahasuar me një vit më parë. Duke qenë se investimet e huaja në Shqipëri janë shumë më të mëdha se investimet shqiptare jashtë vendit, bilanci neto i të ardhurave nga investimet ka qenë historikisht negativ. Rritja e fitimeve të investitorëve të huaj në vitet e fundit mund të shpjegohet me disa faktorë. Rimëkëmbja e shpejtë të ekonomisë pas pandemisë ka sjellë efekte pozitive edhe për ndërmarrjet e huaja që veprojnë në Shqipëri, duke ndikuar në rritjen e fitimeve.
Megjithatë, një pjesë e mirë e rritjes mund t’i atribuohet forcimit të Lekut në kursin e këmbimit me Euron. Në fund të vitit 2023, kursi i këmbimit mes Euros dhe Lekut ishte 9% më i ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa në periudha të veçanta vjetore e kursit arriti deri në 14%. Ndërmarrjet e huaja në përgjithësi i sigurojnë të ardhurat e tyre në Lekë, ndërsa fitimet për aksionerët i shpërndajnë në valutë të huaj. Forcimi i Lekut ka bërë që e njëjta sasi e monedhës vendase të përkthehet në një vlerë më të lartë në valutë të huaj, kryesisht në Euro. Për këtë arsye, mes aktorëve që kanë përfituar nga rënia e Euros në kursin e këmbimit, janë edhe investitorët e huaj.
Duke qenë se një pjesë e mirë e fitimeve nuk shpërndahen, por riinvestohen, forcimi i Lekut, në mënyrë të tërthortë, ka ndikuar edhe në rritjen e investimeve të huaja në vitet e fundit. Fitimet e riinvestuara në vitet e fundit kanë marrë peshën kryesore në strukturën e investimeve të huaja direkte. Për vitin 2023, vlera e fitimeve të riinvestuara nga ndërmarrjet e huaja arriti në 803 milionë euro, 10% më shumë krahasuar me vitin 2022. Fitimet e riinvestuara përbënin 54% të vlerës totale të Investimeve të Huaja Direkte për vitin e kaluar./Monitor