Ismet Sula, shefi i Qarkullimit Rrugor në Lezhë, është pezulluar nga detyra pasi ka favorizuar djalin e ish-deputetit Tom Doshi të largohej nga vendi i aksidentit. Bëhet fjalë për James Doshi, i cili ka përplasur automjetin ku udhëtonin një çift bashkëshortësh dhe është larguar.
I riu është lejuar të largohet nga vendi i ngjarjes edhe përse ka qenë në shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, duke u shmangur të gjitha veprimet hetimore në superstradën e Lezhës, ndërsa çifti i bashkëshortëve që u aksidentuan e kanë referuar rastin në prokurori.
Hetimet kanë vërtetuar se djali i politikanit Tom Doshi ka qenë fajtor dhe shkaktar i aksidentit të disa javëve më parë dhe me kërkesë të organit të akuzës, Gjykata e Lezhës ka vendosur të pezullojë nga detyra shefin e Rrugores, Ismet Sula.
Po ashtu, hetimet janë shtrirë në të gjithë Drejtorinë e Policisë së Lezhës, për të verifikuar se cilët janë drejtuesit që kanë urdhëruar të mos kryhen procedurat standarde në një vendngjarje dhe për të marrë përgjegjësi penale, nëse do të ketë.
Gjithashtu, Prokuroria e Lezhës ka kërkuar verifikimin e tabulateve telefonike të efektivëve të Komisariatit të Policisë Rrugore, për të zbardhur rolin e secilit prej tyre në këtë aksident dhe cili nga eprorët i ka urdhëruar të mos bënin detyrën dhe të ngarkimin me përgjegjësi djalin e Tom Doshit.