Vetëm pak ditë më parë, pikërisht të premten, në këtë sedilje ishte ulur për një vizitë të syve ish-kryeministri i vendit, lideri socialist Fatos Nano.

Kjo do të ishte dalja e parë e Fatos Nanos nga shtëpia pas 8 muajsh, pas një ndërhyrje kirurgjikale për shkak të një diagnoze të vështirë në mushkëri, sëmundja pulmonare obstruktive kronike, me pasojë vështirësi e furnizimit me oksigjen, për të cilën mjekët u desh edhe ta intubonin.

Profesori i oftalmologjisë, mjeku Okulist Dr. Pajtim Lutaj i bëri vizitën e parë të syve pas asaj kaloi ish-kryesocialisti.

“Më ra telefoni dhe kur pashë Fatos Nanon. Sinqerisht, kisha mbi 8 muaj që nuk kishim folur me Fatosin. Pata një ndjesi të jashtëzakonshme dhe direkt doja t’i dëgjoja zërin”.

Kaq mjaftoi për një ftesë darke, i shoqëruar edhe nga bashkëshortja Xhoana, e më pas një kontroll për sytë ku doli shumë mirë konfirmon Prof Luto. I vetmi ndryshim këtë radhë u tregua i kujdesshëm me ushqimin dhe pijen, dhe nga e gjithë kjo që kaloi ka humbur 48 kg.

“Ka rikuperuar totalisht. Ndjeva një ringjallje, vetëm me një humbje peshe të konsiderueshme. Ngjiti dhe zbriti 10 shkallë vetë, mua mu duk shumë mirë. Dreka ishte jashtëzakonisht e këndshme. Është jashtëzakonisht korrekt. Pimë një gotë verë, nuk mund të bëhet fjalë më për duhanpirje”.

Batuta pa fund dhe pak bisedë politike.

“Fatosi nuk kishte humbur humorin, plot batuta, folëm për situatën politike ndërkombëtare. Duke qenë se është njeri që ka investuar kaq shumë, ka ndjeshmëritë e veta”.

Fatos Nano është një prej personazheve më të rëndësishëm të Shqipërisë pluraliste. Katër herë kryeministër i vendit, dhe për 13 vjet drejtoi Partinë Socialiste./TCH