Dhoma Kombëtare e Noterisë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës nënshkruan këtë të shtunë një marrëveshje bashkëpunimi, ku në fokus do të jetë përmirësimi i shërbimit ndaj qytetarëve.

Lajmin e bëri të ditur ministri i Drejtësisë Ulsi Manja. Ai, duke publikuar në rrjetet sociale foto nga mbledhja e Asamblesë Kombëtare të Noterëve, bëri të ditur se gjatë punimeve u nënshkrua dhe një marrëveshje bashkëpunimi mes Dhomë së Noterisë dhe Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.

“Në Asamblenë Kombëtare të Noterëve, ku me mbështetjen e Ministrisë së Drejtësisë u nënshkrua edhe një marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Dhomës së Noterisë dhe Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, për përmirësimin e shërbimin ndaj qytetarëve.

Ministria e Drejtësisë, si organ monitorues, është e angazhuar për adresimin e çdo problematike në këtë sektor që ndikon në shërbimin ndaj qytetarëve!”, shkruan Manja.

Digjitalizimi i shërbimeve kadastrale ka rritur rolin e noterëve, të cilët janë një hallkë e rëndësishme ku qytetarët mund të gjejnë ndihmën e duhur për të marrë shërbimet kadastrale online.