Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku ka qenë e pranishme sot në Konferencën për Investimet dhe Zhvillimit Ekonomik të Europës e Shqipërisë të organizuar në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Turizmit.

Balluku, renditi disa prej projekteve më madhore që lidhin lidhin qytete të Shqipërisë me njëri-tjetrin por edhe projektet rajonale që lidhin vendin tonë me shtete të tjera të Ballkanit si Kroacia apo Bullgaria.

Zv.kryeministrja tha se ka nisur puna për ndërtimin e korridorit Blu që lidh Kroacinë me Malin e Zi, Shqipërinë dhe Greqinë.

“Kemi nisur një punë prej kohësh për ndërtimin e korridorit të 8-të që për Shqipërinë, Bullgarinë, Maqedoninë e Veriut edhe Italinë është një nga korridoret më të rëndësishëm të ndërlidhjes. Një nga korridoret e sigurisë. Nga ana tjetër korridori blu që synon të lidhë Kroacinë me Malin e Zi, Shqipërinë dhe Greqinë, tashmë ka nisur. Dhe gjatë këtij viti do të dorëzojmë një nga pjesët më të rëndësishme “Thumanë-Kashar” që do lidhë Tiranën dhe pjesën veriore të Shqipërisë për të lehtësuar kështu një trafik të rënduar të krijuar për shkak të fluksit të madh të vizitorëve.

Po ashtu, tuneli i Llogarasë do të hapë një derë të re aksesi në jugun e mahnitshëm të Shqipërisë. U japim akses vizitorëve që do të ulen në aeroportin e Vlorës të kalojnë për 7 minuta në tunelin e Llogarasë”– tha Balluku.

Duke theksuar se sfida më e madhe aktualisht mbeten burimet njerëzore, zv.kryeministrja shtoi se projeksioni i qeverisë për të pritur 14 milionë turistë këtë vit, mund të tejkalohet për shkak të rezervimeve të mëdha me të cilat po përballen strukturat hoteliere.

“Kemi dëshirë të mirëpresim dhe shërbejmmë por jemi duke folur për diçka që duhet të jetë aftësi e dizejnuar.
Siç duket nga shifrat dhe çfarë deklarojnë hotelierët në Shqipëri, ndoshta propjeksioni ynë për 14 milionë turistë, do tejkalohet, duke na vënë në sfidë të jashtëzakonshme komponentët e këtij sektori, duke nisur nga infrastruktura dhe duke përfunduar tek industria e shërbimit. Por jemi besimplotë që do shkëlqejmë këtë sezon. Besojmë se ky është viti ku Shqipëria do shfaqet në këtë skenë që ka tërhequr vëmendjen e kujtdo”– shtoi zv.kryeministrja.