Vizitorët italianë prej vitesh e kanë zgjedhur Shqipërinë si një nga destinacionet që nuk duhet humbur të paktën një herë në jetë. Ajo që vihet re është se në radhët e të gjitha qyteteve që ata vizitojnë në Shqipëri, Vlora mbetet e preferuara. Kjo duket edhe tek ata që vijnë për herë të parë.

“Ne vijmë nga Lece sepse kemi pasur gjithmonë dëshirë të vijmë në Shqipëri, por nuk kemi pasur më herët mundësi që ta vizitojmë, drejtuesi i guidës na i propozoi dhe ne pranuam që të vinim me shumë kënaqësi. Ne e kemi vizituar më herët Ballkanin, por në Shqipëri nuk kemi pasur mundësi të vijmë kurrë më parë”,-tha vizitori.

“Kam vizituar pothuajse gjithë Europën, por në Shqipëri kjo është hera e parë, edhe pse në ditën e parë të turit ajo që më ka bërë përshtypje është mikpritja, alegria dhe ngjyrat e mrekullueshme që kishte Tirana, por edhe Vlora”.

Guida udhëheqëse e një prej grupeve që zbriti këtë fundjavë në portin e Vlorës ishte Fabio. Fabio e ka vizituar Shqipërinë për të pestën herë radhazi, ndërkohë gjatë kësaj periudhe ai shprehet se ka vërejtur ndryshime të mëdha si në infrastrukturë dhe në zhvillimin e qyteteve.

“Kam zgjedhur Shqipërinë sepse kjo është hera e 5-të që unë vij dhe mendoj që është vecanërisht e bukur Shqipëria, udhëtimi do të jetë kryesisht i përqëndruar në jug të vendit, do ta nisim nga Butrinti dhe Gjirokastra dhe do të rikthehemi sërish në Vlorë, për të përshkuar të gjithë rivierën joniane. Një nga gjërat që kam vërejtur sapo zbrita në Durrës është zgjerimi i qyteteve, ndërtimi, zhvillimi i tyre, jam i sigurt që do ta vërej edhe gjatë rrugëtimit në Vlorë, kjo sepse rikthehem pas 7 vitesh”.

Florika Rodakaj nga agjensia turistike u shpreh se periudha e fluksit të italianëve që zgjedhin ta vizitojnë Shqipërinë fillon prej marsit në tetor dhe më pas ky ritëm vjen në rënie.

“Kemi 12 vjet që jemi në Vlorë fizikisht, e kemi nisur punën që nga Italia, Agensia Viaggi pra sic duket dhe nga emri, është të themi specifike për tregun Italian, ne tani jemi në prill dhe kemi shumë ture që kanë filluar, e fillojme që nga marsi dhe përfundojmë deri në tetor.”

Termi “italianë si turistë” tashmë nuk është më trend. Kjo për shkak se shtetasit me kombësi italiane janë kthyer në rezidentë në Shqipëri dhe kryesisht në qytetin bregdetar. Ata kanë zgjedhur të investojnë në biznese të ndryshme dhe të blejnë shtëpi në qytetin e Vlorës, ndërsa kategoria e pensionistëve italianë po zgjedhin Vlorën për të shijuar vitet e pensionit.