Nga Namir Lapardhaja
E gjithë lëvizja e “Foltores” së Berishës, ka qenë një organizëm kirurgjikal për t’u kujdesur të “godasë” qeverinë, por të ruaj oligarkinë, sipas parimit “oligarkinë e kemi bashkë”.
Nëse shihet me kujdes e gjithë retorika e drejtuesve të saj, nuk do të shohësh asnjë deklaratë kundër atyre që bashkëpunojnë me qeverinë për të vjedhur shqiptarët dhe investojnë te opozita për të mbajtur sherrin ndezur. Është e njëjta oligarki ekonomike dhe mediatike, e cila promovon figura në radhët e opozitës, për të pasur akses dhe influencë në aksionin e saj politik.
Rezultat i këtij investimi është edhe rasti i fundit i ngritjes së dy Komisioneve Hetimore, ku kujdesi për të mos përfshirë dy koncensione të të njëjtit oligark, ishte mbresëlënës.
Kësaj pengmarrjeje dhe mbylljejegoje nga oligarkia ekonomike dhe mediatike, kryesuar nga Berisha, sot ia ka zënë vendin Gazment Bardhi, i cili nga një denoncues brilant i kateve pa leje në Kullat e Tiranës, është shndërruar në një ushtar të bindur të kësaj kaste, si e vetmja rrugë për t’u promovuar dhe për të bërë përpara në karrierë.
Një gjë e tillë bëhet lehtësisht e kuptueshme kur sheh se si në ditën që SPAK-u bën goditjen më të madhe në Bashkinë e Tiranës, duke arrestuar të gjithë zinxhirin drejtues të këtij institucioni, Gazment Bardhi, nëpërmjet oligarkëve mediatik dhe ekonomik, ndërton një fabul të dëgjuar dhe të rimarrë nga e kaluara, duke bërë gjasme një akuzë të fortë ndaj vëllait të kryeministrit Rama.
Në dukje një luftë ndaj qeverisë, mungesa e një padie në SPAK, por edhe zvetënimi i çështjes fill pas kalimit të dallgës së arrestimeve në Bashkinë Tiranë, tregojnë edhe një herë se jo vetëm figurat e rëndësishme të Revolucionit, si Berisha dhe bashkëpunëtorët e tij të afërt, por edhe rishtarët, në qëndrimet e të cilëve shumëkush ka kërkuar arsye, ka ngritur pyetje dhe ka pasur dilema, e lexon pa shumë sforco pengmarrjen që oligarkia ekonomike i ka bërë “Rithemelimit”.
Kjo është një fatkeqësi e madhe jo vetëm për opozitën, por, mbi të gjitha, për Shqipërinë, ku demokratët dhe shqiptarët merren si leshko dhe, në vend që të mbrohen interesat e tyre, në të vërtetë mbrohen interesat e oligarkëve, të cilët nuk janë pasuruar si pasojë e lirisë ekonomike dhe tregut të lirë, por si rezultat i influencës së pandershme qeveritare.
Jemi duke përjetuar një teatër absurd, ku të gjithë bëjnë sikur, ndërkohë që gjithçka që ndodh, nuk është ashtu siç duket, por fsheh një çështje edhe më të madhe.
Qëndrimet dhe lëvizjet e fundit të Gazment Bardhit treguan se ai nuk është asgjë më tepër vetëm se kolaterali i radhës që oligarkia ekonomike dhe mediatike investon në radhët e opozitës, jo për të kontrolluar dhe për të rrëzuar pushtetin, por për t’i dhënë atij garancinë dhe sigurinë e duhur se sa më shumë të mbahet ndezur konflikti i brendshëm në radhët e PD-së nëpërmjet figurave të tilla, aq më të sigurt do ta ketë jetëgjatësinë pushteti, i cili do vijojë t’u japë tendera dhe koncensione, ndërsa ata, nga ana e tyre, do kujdesen që figura të tilla të kenë të gjithë infrastrukturën ekonomike dhe mediatike për të mbajtur ndezur flakën e revolucionit të gënjeshtërt, që djeg vetëm opozitën.