Fanela e re e kombëtares gjermane është një sukses estetik, por jo vështrimi i saj. Pas një debati në rrjetet sociale, për shkak të ngjashmërisë së numrit 44 me simbolin e përdorur nga njësitë naziste SS, Federata Gjermane e Futbollit (DFB) njoftoi këtë të hënë se do të ndryshohej dizajni i numrit 4 të fanelës së saj të re.
“DFB kontrollon numrat 0-9 dhe më pas i dorëzon numrat 1-26 në UEFA për shqyrtim. Asnjë nga palët e përfshira nuk pa ndonjë afërsi me simbolizmin nazist në procesin e krijimit të modelit të fanelës,”- tha DFB në një deklaratë në X.
“Megjithatë, ne i marrim komentet shumë seriozisht dhe nuk duam të ofrojmë një platformë për diskutim… do të zhvillojmë një dizajn alternativ për numrin 4 dhe do ta koordinojmë atë me UEFA-n.”
Adidas, furnizuesi zyrtar i veshjeve sportive të DFB, kishte deklaruar tashmë se do të hiqte numrin 44 nga gama e opsioneve të personalizuara. “Ne do të bllokojmë numrin 44 sa më shpejt që të jetë e mundur”,- tha zëdhënësi i Adidas, Oliver Bruggen për mediat gjermane. “Si kompani, ne kundërshtojmë në mënyrë aktive ksenofobinë, antisemitizmin, dhunën dhe urrejtjen në të gjitha format e tyre”.