Nga Lorenc Vangjeli
Është e pamundur t’i shpjegosh një “alieni” që vjen për herë të parë në Tiranë, se çfarë po ndodh me politikën në vend. T’i rrëfehet atij ai lëmsh pa fill e fije të bëra lëmsh të marrëdhënieve mes aktorëve kryesorë të saj; t’i dëshmohen të gjitha dashuritë e aleancat e njëkohshme, të kthyera në urrejtje dhe armiqësi të egra të përkohshme, qëndrimet që zëvendësojnë rregullisht katranin me dëborën, të vërtetën me gënjeshtrën, lodrimin prej pehlivanësh nga njëra apo ana tjetër e ylberit politik të secilit personazh dhe mbi të gjitha, t’i justifikohet jetëgjatësia në politikë që protagonistët rreken ta barabitin me atë të profetëve të librave të shenjtë.
“Alienët” nuk kanë zgjedhur ende të vizitojnë Tiranën dhe në Tiranë, publiku është mësuar prej tre dekash e kusur me këtë aromë lëmshi që nuk bën më përshtypje. Pa dalë në ajër të pastër, askush nuk e ndjen më me kalimin e kohës sesa mbytës, shtypës e stresues është ajri në këtë fshat të vogël, edhe megaloman, edhe të padrejtë, edhe shumëstandartësh, të pushtuar nga dilemat për fate individuale të ca pak njerëzve që kanë kushtëzuar fatin e gjithë shqiptarëve.
Për momentin, tre janë qendrat e vëmendjes që formojnë një trekëndësh, në mes të të cilit qëndron Rama. Tre qendra që janë fat dhe fatkeqësi njëkohësisht për njëra-tjetrën.
I pari është Sali Berisha që në pikën më të ulët të karrierës së tij të tejgjatë, qëndron lart në dritare, i kufizuar për të jetuar lirisht, i izoluar ndërkombëtarisht, por me lirinë për të thënë gjithçka do, pavarësisht se çfarë di. Udhëheqës i një shumice të qartë mes pakicës së votuesit shqiptar, ai mundi të imponojë këtë status duke dashur të blejë atë që është më e pamundura për gjithkënd, kohën, ndërkohë që vetë koha është kundër tij. Gabimi i jetës që bëri duke sfiduar hetimin kontravers kundër tij, llogaritja gabim e forcave përballë SPAK-ut e faktorëve të tjerë, por dhe procedurës, që në drejtësi, shpesh është po aq e rëndësishme edhe sa vetë thelbi i çështjes, e bëri atë viktimë perfekte të vetvetes. Një individ që nuk e njeh pendesën dhe që ka zgjedhur gjithmonë të vazhdojë t’i bjerë murit me kokë për të dalë matanë, edhe kur ka një derë që mund ta ndihmojë të dalë jashtë, është në tipologjinë e tij të hershme dhe e gdhendur në ADN-në e tij. Eshtë vesi vetjak që është edhe më jetëgjatë se ai vetë. Eshtë kromozomi mushkë, në botën elegante të reflektimit.
I dyti është çifti politik Meta-Kryemadhi. Ndryshe nga bindja e përgjithshme e një opinioni që sheh vetëm dy kënde pranimi a refuzimi, majtas dhe djathtas dhe refuzon një të tretë alternativ, ata nuk janë Çausheskët e Tiranës. Në mënyrë paradoksale, për shkak të rrethanave, të dy ata kanë qenë çelësi i pushtetit, qëndrueshmërisë së tij dhe kushtëzues të rotacioneve. Në 2005 ata ishin edhe më shumë arsye për rrëzimin e socialistëve sesa vetë adoleshenca e vonuar e Fatos Nanos në atë kohë dhe qeverisjes së tij në rrjedhje të lirë e drejtim të paditur. Në 2009 ishin arsyeja e vetme që i dha PD-së mandatin e dytë duke bashkëndarë më pas pushtetin, por këto dy rrethana, nuk mjaftuan që ata të fitojnë “dashuri” elektorale në të djahtë, ndërkohë që mëria e të majtës që i shihte si shkak të humbjes, rritej në progresion ngjitës për të dy. Ajo mëri nuk u zvogëlua edhe në 2013-ën kur ishin garancia e socialistëve për rikthim në pushtet. Më shumë se njohje nderi, socialistët numëronin çapat e gabuara në fetën e pushtetit të ndarë që ju dukej se ish-aleati jua kishte grabitur. Në 2017-ën, me kryetarin e burgosur në presidencë, Meta president e Monika pasardhëse në parti, u detyruan të shohin pa mundur të ndryshojnë fatin, rrokullisjen e zarave kundër tyre. Pushteti që kanë marrë në gjithë këto vite – Metës ja numërojnë zakonisht të gjitha postet që ka mbajtur – ka qenë joproporcional me numrat që merrnin nga elektorati, por i diktuar nga takati i interesit. Dhe kjo ka qenë fatkeqësia e tyre dhe arsyeja që sot, shtuar edhe me ballafaqimin me drejtësinë të të dyve, që ata pikturohen si djaj nga të majtët që e thonë me zë të lartë dhe të djathtët që i mbrojnë me gojë, por i nëmin me zemër. Sepse pa një fije frymëzimi moral, edhe interesi më i kulluar tronditet dhe turbullohet në gjykim.
I treti është kryetari i bashkisë së Tiranës. Erion Veliaj është një nga dy apo maksimumi tre politikanët që nuk ka dalë nga mitra e dyshimtë e vitit 90-të që polli politanët e sotëm. Thjesht sepse ishte vetëm dhjetë vjeç kur u rrëzua regjimi. Por i ndihmuar nga Rama, nga fati e rrethanat dhe mbi të gjitha, sepse pavarësisht ndihmës, fatit e rrethanave, ai mundi të imponohet në një skenë pa rregulla dhe ku rregullat e karrierës nuk i shkruante merita. Ai u dëshmua i aftë në një vend ku aftësia nuk është kusht për të ecur përpara, u tregua i ndryshëm në një ambient ku ndryshimi është mëkat, u shfaq si tradicional, aty ku sofistikimi është dhe konsiderohet gabim. Për ta identifikuar edhe si më të rëndësishëm dhe duke e ditur se është i tillë, dy kulmet e trekëndëshit politik, Berisha dhe Meta e Kryemadhi, po vetidentifikohen në mënyrë paradoksale si aleatët e tij po më të rëndësishëm. Duke e vënë në qendër të sulmeve, duke e goditur me molotov duke i dërguar poshtë dritareve të bashkisë dhunë dhe duke e bërë shënjestër unike sulmi, ata e personalizojnë fatin e tij me atë të shumicës së qytetarëve që i refuzojnë ata vetë. Sa më radikalë ndaj Veliajt, aq më i fortë është Erioni në të majtë, pikërisht aty ku ai vetë ka dhe kundërshtarët më të egër.
Në të gjithë këtë panoramë, diferenca mes këtyre tre skajeve qëndron në respektin e ca të vërtetave të thjeshta në politikë. Në ato parime që kanë të bëjë më magjinë e funksionimit të vetë sistemit, edhe kaq të brishtë, hibrid dhe të papërsosur si demokracia në Shqipëri: ndarja dhe kontrolli i pushteteve. Dy të parët kanë zgjedhur të mallkojnë pushtetin gjyqësor. Bandë e strukturuar kriminale thotë njëri për SPAK-un, Dum Duman thërret në mënyrë folklorike tjetri, duke i bërë thirrje po asaj drejtësie që të hetojnë Veliajn në një moment delikat të tijin në raport me këtë pushtet. Ata sillen si klientë të zemëruar që pretendojnë shërbim më të mirë nga “kamarieri” duke i drejtuar pistoletën në kokë, kurse vetë Veliaj sillet krejtësisht ndryshe: kokulur, modest dhe bashkëpunues për çdo marrëdhënie të nesërme me SPAK-un, pa tentuar të paragjykojë hetimin, por dhe duke kujtuar marëdhënien e tij speciale me “pronarët” e huaj të restorantit.
E thënë thjeshtësisht. Politikanët, pavarësisht se betohen për të kundërtën, nuk thonë kurrë atë që mendojnë, por shprehin atë që ju intereson dhe që besojnë se publiku do të dëgjojë. Në këtë rast, SPAK-u, institucioni me përkrahjen më të madhe publike që ndonjë institucion ka pasur në Shqipëri, në mënyrë paradoksale, kushtëzon edhe qëndrimin e opinionit ndaj kësaj tresheje. Që nga njëra anë i refuzon me distancë drejtorët bashkiakë të arrestuar, por zgjedh Veliajn përballë dy ish-presidentëve ish-kryeministra, njëri që shëtit nëpër penxhere dhe tjetri që sillet si “influencer” duke u kacavjerë në paralele. Duke harruar njëkohësisht të dy, që në këtë botë kaosi të përjetshëm, rregulli i pandryshueshëm është që vetë individët janë vetëm të përkohshëm.
Kjo është një histori e shkurtër e së ardhmes që mund të trondisë shumë alienë realë në Tiranë, votues e refuzues të votës, që përdorin urrejtjen si instrument të vetëm për të kuptuar se çfarë po ndodh. Mund të lerë në ulërimë e sipër shumë daltonikë që shohin vetëm bardh e zi dhe refuzojnë nuancat, të paaftë për t’i dalluar, jo të lirë për t’i dëgjuar. Paradoksalisht, edhe pse do të duhej të ishte ndryshe, as Berisha që e mendon vetën realisht si profet të përjetshëm, as Meta e Monika që nuk janë Çausheskët e Tiranës dhe madje as Veliaj, aleat dhe miku i tij, veç e veç nuk mund të bëjnë dot atë që po e bëjnë të tre së bashku për kryeministrin. Ata po i afrojnë Ramës minimalisht dhe PS-së maksimalisht, një rilindje të katërt. Një rilindje të cënuar moralisht, të plagosur penalisht, të deformuar njerëzisht, por të rikonfirmuar si shumicë institucionale deri vitin tjetër.