Kryeministri Edi Rama e cilëson si një nder dhe krenari vizitën dhe pritjen që i bëri presidenti francez Emmanuel Macron në Paris. Në një intervistë për emisionin “Real Story” me gazetarin Sokol Balla nga Parisi, kreu i qeverisë kujtoi se në kohën kur erdhi në pushtet “Franca ishte thuajse e paarritshme”.
Pjesë nga intervista:
Balla: Është e çuditshme se si një vizitë kaq e rëndësishme të ketë të përfshirë çështjen e inovacionit, megjithëse ju i keni dhënë një fokus shumë të madh..
Rama: Jo, vizita ishte vizita e nivelit më të lartë që protokolli francez përmban prandaj ishte i tillë edhe ceremoniali që ishte mbresëlënës për faktin se është një nder I posacëm për Shqipërinë dhe unë, të them të drejtën e përjetova me krenari këtë fakt. Sepse më kujtohet që në fillimet e kësaj detyre Franca ishte thuajse e paarritshme, ndërkohë që në historinë e marrëdhënieve tona diplomatike me Francën nuk ka pasur asnjëherë një vizitë zyrtare shtetërore dhe pas një sërë vizitash pune që unë kam bërë këtu, kjo ishte vizita që si të thuash kurorëzoi një proces. Inovacioni është pjesë e programit të përbashkët që kemi me qeverinë franceze.
Kemi nënshkruar një marrëveshje të nivelit më të lartë në marrëdhënie ndërqeveritare, qeveri me qeveri dhe në këtë marrëveshje ka një program ku në mënyrë specifike flitet për fusha bashkëpunimi dhe partneriteti të afërt dhe rezultati i marrëveshjes është edhe ngritja e Këshillit të përbashkët të Inovacionit që merr në konsideratë nevojën për të bashkëpunuar në funksion të kësaj epoke të re dhe nga ana tjetër për ne është një marrëveshje shumë pozitive sepse marrim përmes saj shumë nga eksperienca dhe nga dija franceze që është e nivelit më të lartë.