100 të burgosur në burgun e Drenovës pas miratimit të amnistisë përfitojnë lirinë e tyre, si dhe ulje dënimi. Burime për A2 CNN thanë se 50 të burgosur për vepra të ndryshme penale falë kësaj amnistie do të lënë qelitë e burgut të Drenovës, ndërkohë që 50 të tjerë do të kenë ulje dënimi për kohën e mbetur.

100 të burgosur që përfitojnë nga amnistia janë dënuar për trafikim të lëndëve narkotike, dhënie e ndihmës së paligjshme të kufirit, vjedhje, si dhe vepra të tjera penale. Për të gjithë personat që përfitojnë nga amnistia, Drejtoria e burgut të Drenovës ka bërë gati dosjet e tyre dhe ia ka paraqitur ministrisë së linjës.