Gjykata e Posaçme ka zbardhur vendimin e arsyetuar për dënimin e Fredi Belerit, kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës. GJKKO thekson se korrupsioni zgjedhor është i faktuar përmes audiove dhe videove, ku protagonist kryesor është edhe Fredi Beleri.

Bashkë me vendimin është publikuar edhe një përgjim ambiental mes Fredi Belerit dhe Arsen Ramës. Në datën 11.05.2023, në mëngjes, është zhvilluar një takim midis shtetasit Arsen Rama dhe të pandehurit Dhionisios Alfred Beleri jashtë ambienteve të lokalit, ku sipas bisedave ambientale të përgjuara, ata kanë biseduar në lidhje me listën dhe personat që janë në të, si dhe me mënyrën se si do t’ia jepte shumën monetare.

Në datë 10.05.2023, shtetasi Arsen Rama ka komunikuar në telefon me të pandehurin Dhionisios Alfred Beleri dhe i ka thënë se listën ia kishte dorëzuar sekretares së tij. Dhionisios Alfred Beleri i ka thënë se do ta verifikonte një gjë të tillë dhe do të komunikonin sërish bashkë për t’u takuar. Në vijim të kësaj bisede, sërish në datë 10.05.2023, ata janë takuar me njëri-tjetrin në lagjen “Potam”, jashtë ambienteve të lokalit “G…”, ku sipas bisedave ambientale të përgjuara, kanë biseduar lidhur me listën prej 13 personash të dorëzuar dhe shumën monetare që duhej të përfitonte secili prej tyre në këmbim të votës pro kandidatit Dhionisios Alfred Beleri. Në këtë bisedë, ky i pandehur i ka premtuar shtetasit Arsen Rama se do të paguante shumën prej 50 euro për person dhe 300 euro për të.

PËRGJIMET MES BELERIT DHE KOKAVESHIT

Janë zbardhur përgjimet dhe komunikimet në “WhatsApp” me Fredi Belerin dhe Pandeli Kokaveshin para se të arrestoheshin për blerje votash në Himarë. Në dosjen e GJKKO thuhet se Fredi Beleri ka hapur një grup “WhatsApp”, ku kërkon që ta ndihmojnë për të fituar zgjedhjet. Në dosje e siguruar nga gazeta “Panorama Online”, personat komunikojnë për marrjen e dokumenteve greke të disa qytetarëve, të cilët në këmbim do të japin votën për Fredi Belerin. “Morëm iniciativën t’iu shtojmë në grupin aktual, sepse konsiderojmë se ndajmë të njëjtat ide dhe të një njëjtat shqetësime. Në rast se doni të na propozoni bashkëluftëtarë të cilët mund të shtojmë, na dërgoni të dhënat e tyre me mesazh personal. Nëse rastis që nuk doni të merrni pjesë, ju lutemi shumë të na njoftoni me mesazh personal, në mënyrë që t’ju heqim nga grupi”, – ka shkruar Beleri gjatë një komunikim në grup.

PJESË NGA DOSJA

Në orën 19:04:04 të datës 09.01.2023 i pandehuri Dhionisios Alfred Beleri nga numri 355695399675 ka shkruar: “Morëm iniciativën t’ju shtojmë në grupin aktual, sepse konsiderojmë se ndajmë të njëjtat ide dhe të një njëjtat shqetësime. Në rast se doni të na propozoni bashkëluftëtarë të cilët mund të shtojmë, na dërgoni të dhënat e tyre me mesazh personal. Nëse rastis që nuk doni të merrni pjesë, ju lutemi shumë të na njoftoni me mesazh personal, në mënyrë që t’ju heqim nga grupi”.

Në datën 16.01.2023 ora 16:40:12 i pandehuri Dhionisios Alfred Beleri nga numri 355695399675 ka shkruar: “Mirëmbrëma të gjithëve dhe të gjithave! Në kuadër të përgatitjeve për zgjedhje lokale do të donim t’ju luteshim të na dërgoni numrat e telefonave dhe të dhënat e telekomunikimit me miq, shokë, të afërm ose njerëz me prejardhje nga cilido fshat i Bashkisë Himarë, të cilët mund të na ndihmojnë në betejën tonë dhe që jetojnë tani ekskluzivisht në dy qytete: Në Tiranë dhe në Vlorë, pavarësisht nëse votojnë në Himarë ose jo. Himara je ti”. Pas këtij mesazhi, anëtarët e grupit fillojnë të dërgojnë emra dhe numra telefonash të personave të ndryshëm.

DËSHMIA E DËSHMITARIT

Dëshmitari “kyç” në dosjen e Fredi Belerit, kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, ka rrëfyer pse mori vendimin për ta denoncuar në polici. Në dosjen e plotë hetimore është publikuar dëshmia e Arsen Ramës, i cili tregon me detaje njohjen me Fredi Belerin. Në një moment kur ai e ka takuar për t’i çuar peshk në lokal, e ka pyetur Belerin si po i ecën fushata. Ai i është përgjigjur “se po i ecën mirë, por na gjej ca persona kundrejt 50 eurove”. Pas kësaj bisede të bërë me Fredi Belerin, Arsen Rama thotë se ka shkuar për të takuar shefin e komisariatit, ku edhe më pas kanë rënë dakord për një marrëveshje. Arsen Rama tregon se pasi policia i ka vendosur disa aparatura, ka shkuar sërish për të takuar Fredi Belerin, të cilit i ka thënë se i ka gjetur 15 persona.

Madje ka hartuar edhe një listë me 13 emra, shumica familjarë të tij dhe i ka çuar te sekretarja. Arsen Rama në rrëfimin e gjatë dhe gjithë përsëritje të dhënë në prokurori, dëshmon se si ka operuar përgjatë gjithë kohës që ka qenë me pajisjet përgjuese të policisë në trup. Ndonëse ai nuk mbante mend asnjë datë kur është takuar me policinë, as me ‘viktimat’ e tij, ai ka treguar se pasi ka dalë fakti që ai ka përgjuar Belerin, ka marrë kërcënime të shumta derisa, sipas tij i kanë fundosur edhe varkën e peshkimit. Rama mohon të ketë marrë ndonjë premtim nga policia apo prokuroria në momentin që ka nënshkruar marrëveshjen e përgjimit, por në fund dëshmon që ka marrë një shumë të hollash si shpërblim.

PJESË NGA DËSHMIA

“Aktualisht banoj në qytetin e Vlorës. Në muajin mars– prill, gjatë gjithë periudhës kam jetuar në Himarë prej disa vitesh. Kam qenë i vetëpunësuar familjarisht në aktivitetin e peshkimit. Shtetasin Fredi Beleri e kam njohur, sepse personi njihet si biznesmen që ka restorant peshkimi dhe ne kemi pasur marrëdhënie që i kam shitur peshk. Numrin e telefonit e kam pasur prej disa kohësh, nuk më kujtohet mirë sa kohë. Po i jam drejtuar për shkak të një korrupsioni në zgjedhje në qytetin e Himarës. Kam shkuar i kam çuar peshk Fredi Belerit dhe jemi takuar tek lokali ‘Xhelateria’ ku aty isha marrë vesh nga televizori nga rrjetet sociale që kandidonte për Bashkinë e Himarës.

Më pas e kam pyetur si të shkon fushata dhe më ka thënë fushata shumë mirë, na gjej persona kundrejt 50 euro personi, dakord i kam thënë, më pas jam larguar dhe kam takuar shefin e komisariatit. E kam kontaktuar në telefon, Ermal Ajdini e ka emrin, e kam kontaktuar në telefon dhe jemi takuar tek fusha e sportit, e kam vënë në dijeni për këtë rast dhe më ka thënë a jeni ju i gatshëm që të bashkëpunoni me ne dhe me Prokurorinë e Vlorës, data s’më kujtohet mirë, muaji prill më duket i vitit 2023.

Një muaj para zgjedhjes, diku nga fund i prillit më duket, fillim maji nuk më kujtohet mirë data fiks, më pas kemi shkuar në Prokurorinë e Vlorës dhe aty kemi lidhur një marrëveshje që çdo gjë të ishte e ligjshme. Me aq sa më kujtohet, pasi kam vendosur aparatet që më ka dhënë Policia e Shtetit, kam shkuar e kam takuar Fredi Belerin te ‘Xhelateria’ dhe i kam thënë që kam 15 veta, persona të cilët janë të Bashkisë Himarë, do të them fiks i thash sa, po 15 veta që janë të Bashkisë Himarë, me sa më kujtohet më ka thënë dakord, shkruaj në listë, bëj listën dhe ma ço tek sekretaria.

E kam shkruar listën, personat nuk kanë qenë në dijeni të kësaj gjëje, s’ka qenë asnjë person në dijeni. Emrat i kam shkruar në listë për arsye për të vërtetuar këtë gjë që po bëhej në Himarë. Emrat kanë qenë familjarë të mi dhe njerëz të njohur. Ishin banorë të Palasës, të Dhërmiut dhe të Himarës. Pasi kam çuar listën me emra, me 13 emra pranë zyrës elektorale në Himarë, e cila ndodhet në shëtitore nga krahu i detit, ku mbaron shëtitorja. Te zyra elektorale kam kontaktuar me sekretaren dhe aty e kam pyetur si ju shkon fushata dhe më ka thënë, fletën mund ta lini këtu, kur të vijë vetë zoti Beleri do ta shikojë. Ishte lista me emrat që kisha shkruar unë, persona që ishin të Bashkisë Himarë dhe listën e kam lënë te sekretarja.

Sekretarja ka qenë një vajzë bionde, e moshës 26- 28 vjeçe me afërsi, i jam prezantuar zonjës, jam një miku i Fredit, kush jeni tha, i kam thënë emër dhe mbiemër kush jam dhe pasi e kam lënë fletën, e kam përshëndetur dhe kam kontaktuar me Fredi Belerin më vonë”.