Kur Giorgia Meloni erdhi për herë të parë në pushtet në Itali në vitin 2022, elitat perëndimore ushqenin dyshime ndaj një kryeministreje që dikur kishte shprehur admirim për fashizmin.
Megjithatë, në dy vitet e para, politikania e ekstremit të djathtë ka arritur disa suksese të rëndësishme, shkruan Politico.
Së pari ajo bindi liderët perëndimorë për mbështetje të palëkundur ndaj Ukrainës. Ndërkohë që ka përdorur respektin që gëzon për të marrë një pozicion udhëheqës midis forcave të krahut të djathtë të Evropës.
Ishte presioni që Meloni u bëri udhëheqësve të tjerë të krahut të djathtë, që e detyroi Brukselin të hiqte kufizimet e planifikuara për përdorimin e pesticideve dhe të zvogëlonte paketën klimatike.
Ishte gjithashtu presioni nga Meloni, që ndryshoi qëndrimin e Evropës ndaj emigrantëve. Meloni bëri që politikat për emigrantët të kalonin nga dhënia e azilit dhe rishpërndarja midis shteteve të BE-së, drejt pagesës së vendeve të treta për të mbajtur emigrantët jashtë kufijve të bllokut.
Dhe ajo vazhdon të ushtrojë një ndikim të qetë, por të fuqishëm mbi politikanët kryesorë të BE-së si Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.
Të dielën, Meloni do të fluturojë në Egjipt për të qëndruar përkrah von der Leyen teksa ajo nënshkruan një marrëveshje për emigrantët sipas së cilës BE do t’i paguajë Kajros deri në 7.4 miliardë euro për të mbështetur financat e qeverisë dhe për të frenuar emigracionin.
Megjithatë, ndikimi i Melonit ka shumë hapësirë për t’u rritur.
Në qershor, evropianët votojnë në mbarë bllokun për zgjedhjet në Parlamentin Europian.
Sipas sondazhit të POLITICO ka të ngjarë që zgjedhjet të sjellin në zgjerim të krahut të djathtë në parlamentin Europian.
Kryeministrja italiane është gati të bëhet liderja shpirtëror e atij blloku, duke rritur ndjeshëm peshën e saj në Europë.
Pavarësisht disa titujve optimistë, ekonomia e Italisë nuk është dhe aq e fuqishme në BE, duke dobësuar besueshmërinë e Romës në vendimet e mëdha politike. Dhe përkundër gjendjes aktuale të zymtë të marrëdhënieve franko-gjermane, Parisi dhe Berlini janë ende, në aspektin strukturor, përcaktues të ritmit për politikën evropiane, me Poloninë e cila nën kryeministrin Donald Tusk është kthyer në një lojtar gjithnjë e më vendimtar.
Kundërshtarët e Melonit në Itali paralajmërojnë gjithashtu se qeveria e krahut të djathtë po përdor një fushatë kundër shtatzënive surrogate për të gërryer në heshtje të drejtat e LGBTQ+.
Në nëntor, votuesit amerikanë do të zgjedhin mes presidentit aktual Joe Biden dhe ish-presidentit Donald Trump. Nëse Biden fiton, Meloni mund të çojë përpara një marrëdhënie që Shtëpia e Bardhë dhe zyra e saj e përcaktojnë si “pozitive”. Nëse Trump është fituesi, atëherë Meloni mund të bëhet një aleat evropian i MAGA-s, por më pak toksike se Viktor Orbán i Hungarisë. Ajo mund të shndërrohet një lloj “Maggie Thatcher me Ronald Reganin përtej oqeanit”, shkruan Politico.
“Ajo është deri tani politikania më e afërt me Trump në Itali”, tha Marco Damilano, një analist politik italian. “Dhe në nivelin evropian, qeveria e saj do të ishte më e pozicionuara” për të ndërtuar lidhje me administratën Trump.
Pavarësisht humbjes së fundit në Sardenjë, Meloni pëlqehet nga 41 për qind e italianëve – një shifër tepër e lartë për një kryeministër italian pas dy vitesh në detyrë. Pyetja tani është: Çfarë do të bëjë ajo me kapitalin e saj politik dhe a do t’i qëndrojë besnike kampit pro-ukrainas, pro NATO-s në rast se Trump kthehet në Shtëpinë e Bardhë?
Tani për tani, Meloni po tregohet tepër e aftë në traditën diplomatike italiane për të luajtur me të dyja palët. Në vend që të bëhej një grabitqar evropian “à la Orbán”, Meloni ka qëndruar brenda “çadrës” duke ushtruar ndikim në rritje mbi politikën e BE-së gjatë dy viteve të fundit.
Trump apo Biden?
I pyetur mbi preferencat për zgjedhjet presidenciale në SHBA, Nicola Procaccini, i cili bashkë-drejton fraksionin e Melonit në Parlamentin Evropian, tha: “Shpresojmë që Trump të fitojë”, megjithëse ai nxitoi ta rregullonte deklaratën duke shtuar: “Por padyshim që Giorgia është gjithashtu drejtuese e qeverisë italiane dhe ajo ka një marrëdhënie shumë të mirë me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Joe Biden”.
Kampi i Melonit po përpiqet ta mbajë mirë me të dyja kampet në SHBA. Nga njëra anë, ajo po përpiqet shumë për të demonstruar kredencialet e saj pro Ukrainës dhe NATO-s, duke përfshirë udhëtimin në Kiev në përvjetorin e dytë të pushtimit të Rusisë, si dhe mbledhjen e G7 për të ndihmuar Kievin.
Nga ana tjetër, ajo po bën çmos për të ruajtur marrëdhëniet me republikanët anti-ukrainas të MAGA, duke ndërtuar lidhje me kampin e Trump, falë anëtarëve me bazë në Florida të partisë së saj të djathtë, Vëllezërit e Italisë.
Meloni mblodhi mbështetësit e saj kur mori pjesë në CPAC 2020 në Florida. Kampi i saj po punon shumë për të ndërtuar lidhje me rrethin e Trumpit në Shtetet e Bashkuara. “Si udhëheqëse e një ekonomie të madhe evropiane, ajo do të ishte pika e referencës për Trump në Evropë,” argumentoi Andrea di Giuseppe, një ligjvënës i “Brothers of Italy” me bazë në Amerikën e Veriut, i cili është përgjegjës për kontaktin me republikanët amerikanë.
Hapja e Melonit ndaj Trump sigurisht që do të thellojë dyshimin midis aleatëve më të vendosur të Ukrainës në Evropë për pozicionin e saj afatgjatë, veçanërisht pasi kryeministrja italiane u kap duke u ankuar nëntorin e kaluar për “lodhjen e Ukrainës” ndaj një lideri afrikan, gjë e cila në fund rezultoi një shaka.
Por mes një përplasjeje midis Brukselit dhe Hungarisë për ndihmën ndaj Ukrainës, ishte Meloni ajo që ndihmoi për të bindur Orbanin të nënshkruante një paketë ndihme prej 50 miliardë eurosh për Ukrainën.
Meloni ishte ylli i ftuar në mbledhjen e figurave konservatore të Orbanit në Budapest shtatorin e kaluar. Të dy liderët më pas ndanë një deklaratë të përbashkët duke dënuar agresionin e Rusisë në Ukrainë – një dëshmi e ndikimit të Melonit.
Ata që kanë punuar me Melonin nga afër tregojnë për një ndryshim kyç midis saj dhe njerëzve si Orbán ose ish-kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki. Ajo është skrupuloze për të mos kapërcyer linjat e kuqe të bllokut për sundimin e ligjit ose për t’u shfaqur jo besnike ndaj urdhrit të NATO-s të udhëhequr nga SHBA.
Shtojini kësaj edhe zotërimin e gjuhëve të huaja – më të larta se shumë prej paraardhësve të saj – dhe mënyrën e saj fituese dhe joformale në takimet ndërkombëtaredhe ju keni një shembull të lartë të diplomacisë italiane, shkruan Politico.
Nëse von der Leyen merr votën për një mandat të dytë, ajo ka shumë të ngjarë të ketë të bëjë me një Parlament Evropian ku, sipas Sondazhit të POLITICO, partitë e krahut të djathtë do të mbajnë dukshëm më shumë vende sesa gjatë legjislaturës aktuale.
Meloni, përsëri, ka të ngjarë të luajë një rol vendimtar në vendimarrjen e këtij grupi.
Ndikimi i Melonit në çështjet e BE-së duket se do të rritet, në muajt e ardhshëm. Dhe von der Leyen do të ketë nevojë për mbështetjen e Melonit për të siguruar një shumicë të kualifikuar në favor të marrjes së një mandati të dytë.
Si anëtare e grupimit më të madh në Parlamentin Evropian, Partisë Popullore Evropiane, von der Leyen ka të ngjarë të ketë mbështetje automatike nga 12, ndoshta 13 liderë konservatorë nëse Mariya Gabriel bëhet kryeministre e Bullgarisë përpara zgjedhjeve. Por për të përmbushur pragun e 15 vendeve për një shumicë të cilësuar, asaj do t’i duhet mbështetja e të paktën dy liderëve të tjerë jo-PPE.
Një operativ i PPE, i cili foli në kushte anonimiteti për Politico, tha se dy liderët që me shumë gjasa do të mbështetin von der Leyen për të kapërcyer pragun janë Petr Fiala, kryeministri i Çekisë dhe Meloni.
Kjo justifikohet dhe me numrin e lartë të udhëtimeve të von der Leyen drejt Italisë. Ajo ishte në Romë dy herë në vitin 2023 dhe një herë në fillim të 2024, dy herë në Emilia Romagna dhe një herë në Lampedusa, një pikë e nxehtë për migrantët që mbërrijnë me varkë në Sicili.
“Meloni është e pashmangshme nëse von der Leyen dëshiron të jetë e sigurt të ketë një shumicë të kualifikuar në Këshill,” tha operativi. “Udhëtimi i vazhdueshëm në Itali i thotë të gjitha.”
Megjithëse grupimi i partisë së krahut të djathtë të Melonit nuk do të jetë deri më tani më i madhi në Parlamentin Evropian ai shihet gjithnjë e më shumë si një shtytës ideologjik që detyron PPE-në djathtas. Ashtu si von der Leyen, kryetari i PPE, Manfred Weber, ka shprehur pëlqimin për Melonin.
Operativët e PPE flasin për mundësinë që Meloni t’i bashkohet zyrtarisht grupit të tyre. Por nuk ka asnjë ndalim kundër aleancave ad hoc me bllokun konservator – një ide që Procaccini, bashkëkryetari i grupit, duket se e përqafon.
“Unë kam një bisedë shumë të sinqertë çdo ditë me Manfred Weber,” tha ai. “Ne kemi shumë pika të përbashkëta me PPE. Kemi edhe një strategji të përbashkët. Shumica në Parlamentin Evropian nuk është si në parlamentet kombëtare – ajo mund të ndryshojnë me çdo votë.”
Meloni mund të kryesojë gjithashtu një grup shumë më të madh të Konservatorëve dhe Reformistëve Evropianë, nëse partia Fidesz e Orbanit bashkohet, duke sjellë me vete të paktën 12 ligjvënës (Fidesz u përjashtua nga PPE në 2019).
Ndërsa Procaccini tha se ishte “shumë herët për të thënë” nëse Fidesz mund t’i bashkohej ECR-së, ai shtoi se një vendim i tillë mund të merrej pas zgjedhjeve nëse Fidesz paraqet një ofertë zyrtare për t’u bashkuar.
Me Fidesz në anën e saj, Meloni – si udhëheqëse e një vendi të G7 – do të kryesonte një fraksion të zgjeruar të krahut të djathtë në Parlamentin Evropian që mund të krijonte aleanca ad hoc me grupimin e ekstremit të djathtë ID.
“Meloni ka qenë e qartë për atë që dëshiron të bëjë,” tha Leo Goretti, një ekspert në politikën e jashtme italiane në Institutin e Çështjeve Ndërkombëtare në Romë. “Ajo dëshiron të bashkojë konservatorët dhe nacionalistët, duke pasqyruar prirjet e koalicionit të saj të qendrës së djathtë.”
E pyetur se si Meloni mund të ushtrojë ndikimin e saj të ri në skenën evropiane dhe globale pas zgjedhjeve evropiane, një zyrtar i veçantë i PPE tha, në kushte anonimiteti: “Si kryeministre dhe presidente e ECR, ajo do të kërkojë gjëra, me gjasë një portofol shumë më të madh për komisionerin evropian italian.”
“Nëse kjo do të ndodhë në mes të grupeve të fragmentuara të partive të krahut të djathtë dhe të ekstremit të djathtë që përbëjnë Parlamentin Evropian, mbetet për t’u parë. Por Meloni do të përpiqet”, tha zyrtari.
“Ajo do të prezantohet si liderja joformale e gjithçkaje në të djathtë të PPE – kjo është ëndrra e saj,” shtoi operativi.