Avioni i Sekretarit të Shtetit Antony Blinken përjetoi probleme mekanike teksa ndodhej në Paris këtë të mërkurë. Lajmi u konfirmua nga një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit që sqaroi se delegacioni i Blinken u detyrua të udhëtonte në rrugë tokësore nga kryeqyteti francez për në Bruksel, aty ku do të zhvillohet një takim i ministrave të Jashtëm të NATO-s.
Ky është incidenti i dytë me avionin e Blinken, pasi në një udhëtim të mëparshëm në Evropë në janar, ai u ndal për pak kohë në Davos për shkak të një problemi të ngjashëm. Incidenti ndodhi kur Blinken i duhej të merrte pjesë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos. Sekretari Amerikan i Shtetit dhe shoqëruesit asokohe u nisën me helikopter nga resorti zviceran.
Më pas ata hipën në Boeing 737 të konfiguruar posaçërisht, por u informuan se avioni u konsiderua i pasigurt për fluturim për shkak të një rrjedhje oksigjeni. Blinken u detyrua të ndërrojë avionin për t’u kthyer në Uashington. Një avion më i vogël u dërgua për ta marrë atë nga Zyrihu, ndërsa zyrtarët shoqërues dhe gazetarët u kthyen në një fluturim komercial.