Qeveria ka vendosur të mos e zgjasë më afatin e koncesioni të pullave fiskale. Kështu ky shërbim i dhënë me koncesion do t’i kalojë shtetit si monopol duke përmbyllur një kontratë që zgjaste prej më shumë se 12 vitesh.

Nëpërmjet një projektligji të ri, Ministria e Financave ka vendosur që çmimi dhe elementët e sigurisë së pullës fiskale të përcaktohet me VKM nga qeveria dhe se do të jetë efektive nga 1 janari I 2025-ës.

Më herët në parlament ka pasur debate për këtë koncesion pasi afati i përfundimit të tij ishte vendosur në fund të 2023-it. Më pas një vendim i qeverisë e shtyu atë edhe me dy vite, ku si argument u dha fakti se kompania mund ta dërgonte çështjen në arbitrazh dhe t’i shkaktonte dëm pasuror shtetit shqiptar.

Ky koncesioni u fitua nga kompania “Sicpa Security Solutions Albania” në vitin 2011 nëpërmjet një oferte të pakërkuar, ndërsa operimi filloi në 2012-tën.

Përpara koncesionit ky shërbim ofrohej nga shteti nën ombrellën e një shoqërie aksionere, ndërsa tani siç përcaktohet në projektligjin e ri nga 2025-ta do të jetë një person i autorizuar nga Këshilli i Ministrave, përgjegjësi për shërbimin.

Pullat fiskale janë një element kryesor i produkteve të akcizës cigarja dhe pijet alkoolike, duke përbërë një burim të rëndësishëm të të ardhurave doganore.