SHBA-Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se ka udhëzuar Administratën Kombëtare amerikane të Aeronautikës dhe Hapësirës (NASA) për të krijuar një standard kohor për Hënën dhe trupat e tjerë qiellorë, përderisa qeveritë dhe kompanitë private po intensifikojnë garën hapësinore.
Me Shtetet e Bashkuara që po synon të vendosë norma ndërkombëtare përtej orbitës së Tokës, Zyra për Politika Shkencore dhe Teknologji e Shtëpisë së Bardhë (OSTP) ka udhëzuar NASA-n që të formulojë një plan deri në fund të vitit 2026 për standardin e quajtur Koha e Koordinuar Hënore.
“Përderisa NASA, kompanitë private dhe agjencitë e tjera hapësinore në mbarë botën po nisin misione për në Hënë, Mars dhe përtej, është e rëndësishme që të krijohet standarde kohore qiellore për siguri dhe saktësi”, tha zëvendësdrejtori i OSTP-së, Steve Welby, përmes një deklarate.
Ai theksoi se “koha kalon ndryshe” në varësi të pozitës në hapësirë, duke përmendur një shembull se si koha duket se kalon më ngadalë ku graviteti është më i fuqishëm, sikurse afër trupave qiellorë.
“Një definicion i qëndrueshëm i kohës në mesin e operatorëve në hapësirë është thelbësor për aftësitë e suksesshme lidhur me ndërgjegjësimin për situatën në hapësirë, navigimin dhe komunikimin”, tha Welby.
Qëllimi, tha Shtëpia e Bardhë, për Kohën e Koordinuar Hënore apo LTC, është që ajo të lidhet me Kohën e Koordinuar Universale (UTC), që aktualisht është standardi kryesor i kohës që përdoret në mbarë botën për të rregulluar kohën në Tokë.
Shtëpia e Bardhë i ka kërkuar NASA-s që të punojë me departamentet e Tregtisë, Mbrojtjes, Transportit dhe Departamentin amerikan të Shtetit për të krijuar një strategji për krijimin e një standardi të kohës, që do të përmirësonte navigimin dhe operacionet e tjera për misionet veçmas në një zonë hapësinore midis Tokës dhe Hënës.
SHBA-ja po synon që të kthehet në Hënë më 2026, pasi më 1972 misioni Apollo 17 bëri zbarkimin e parë të njerëzve në këtë planet./REL