Shqipëria realizoi proçedurën e para-aplikimit në Zonën e Pagesave në Euro.Pas anëtarësimit qytetarët dhe bizneset do të realizojnë trasaksione me kosto më të lira me vendet Europiane. Ministri i Financave Ervin Mete e deklaroi këtë në takimin e Ministrave të Çështjeve Evropiane dhe Financave të Ballkanit Perëndimor në Podgoricë të Malit të Zi .Kjo mbledhje e ministrave të rajonit vjen dy ditë pas miratimit nga Parlamenti Evropian të Paketës prej 6 miliardë eurosh. Kreu i financave theksoi rëndësinë e anëtarësimit të Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro.
“Shqipëria është në një fazë të avancuar sa i përket plotësimit të kritereve për anëtarësim në SEPA. Banka e Shqipërisë ka miratuar setin e rregulloreve të nevojshme dhe në fund të muajit të kaluar kemi përfunduar procedurën e para-aplikimit. Përfshirja në Zonën e Vetme Evropiane të Pagesave sjell përfitime të shumta për vendet e rajonit, si reduktimin e kostove të transaksioneve bankare dhe lehtësimin e tregtisë”.
Drejtoresha për Ballkanin Perëndimor në KE, Valentina Superti, shprehu mbështetjen e saj për vendet e rajonit në lidhje me anëtarësimin në SEPA.
“Do t’ju mbështesim për të avancuar me procesin, i cili sjell lehtësimine tregtisë në rajon. Për ne është mjaft i rëndësishëm bashkëpunimi mes vendeve të Ballkanit në mënyrë që ata të kenë një rritje të eksporteve dhe të bëhen edhe më atraktivë sa i përket investimeve të huaja”.
Kryenegociatorja për Integrimin në Bashkimin Europian Majlinda Dhuka, vlerësoi votimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor nga Parlamenti Evropian, duke e cilësuar një sinjal të qartë të mbështetjes politike të BE për vendet e rajonit.