Kryeministri Edi Rama foli për mbarëvajtjen e sezonit turistik në vend, duke thënë se ka pasur një rritje të turistëve që kanë vizituar vendin tonë. Gjithashtu Rama nënvizoi se tashmë vendi ndodhet përballë një zhvillimi shumë të shpejtë dhe se nuk do të jetë e largët koha kur numri i turistëve të arrijë në 20 milionë.
“Kur kam thënë më para që “Pas 5 vitesh mos u çudisni sepse do të shkojë 10 milionë dhe shumë kush kishte arsye për ta vënë në diskutim këtë parashikim”, pasi nuk ishte si ato parashikimet që hidhen në ajër apo e bëjnë këtë gjë për të kërkuar vota dhe më pas i merr era. Por ishin parashikime të bazuara në analiza faktike dhe të dhëna konkrete dhe që kanë padiskutim një bazë shkencore. Ndërsa sot nëse më pyesni ku do të jetë Shqipëria 2030 në raport me turistët, kam shumë frikë se do të gaboja pasi do të na duhet të shohim këtë vit dhe vitin e ardhshëm për të pasur një siguri. Nuk është marrëzi të mendosh duke parë si ka filluar ky vit që shifra e 20 milionë turistëve do të arrihet më përpara”, tha Rama.