Nga Jakin Marena
Nga raportimi më i fundit i kreut të SPAK Altin Dumani u deklarua se janë konfiskuar 41 milionë euro pasuri të të korruptuarve dhe njerëzve të krimit në Shqipëri për vitin 2023.
Me thënë të drejtën nuk e tha me krenari as Dumani këtë shifër, duke treguar qartë se as vetë ai dhe institucioni që drejton nuk ishin të kënaqur me këtë sasi pasurish të bllokuara deri më tani.
Dhe jemi plotësisht dakord me të, madje jemi akoma më kërkues në këtë drejtim, pasi shqiptarët në shumicë i kanë dhënë dhe i japin një mbështetje të jashtëzakonshme institucionit më të lartë të hetimit dhe në përgjithësi tërë drejtësisë së re.
Sepse shpresojnë shumë, referuar dhe punës së deritanishme ndonëse me hapa të ngadaltë, tek SPAK dhe Gjykata e Posaçme, që të marrë fund pandëshkueshmëria në këtë vend.
Dhe kur themi të marrë fund pandëshkueshëria e politikanëve, zyrtarëve dhe ish zyrtarëve të lartë të korruptuar, pa dallim kahjeje politike, nuk e kemi fjalën vetëm për vitet e burgut që mund të kërkoje SPAK dhe të vendosë Gjykata e Posaçme, por mbi të gjitha e kemi fjalën për pasurinë që kanë vjedhur këta njerëz me pushtet, me firmë dhe me vulë.
Këto para duhet të kthehen në arkën e shtetit, pasi nëse llogariten të gjitha paratë që janë vjedhur në Shqipëri gjatë këtyre 33 viteve, shtuar këtu dhe paratë e hedhura në Shqipëri nga organizmat ndërkombëtarë dhe shoqatata e ndryshme për të mësuar shqiptarët se ‘nga hardhia bëhet rrushi, dhe nga rrushi bëhet vera”, rakinë nuk e preferojnë në Evropë, si dhe paratë e hedhura për OJF-të e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve, grave, njeriut në përgjithësi, rritjes së profesionalizmit në mediat e gjëra të tjera të këtij lloji që nuk kanë shkuar në destinacion shumica por janë investuar në vila dhe qendra private, Shqipëria jonë e bekuar do ishte bërë 5 herë deri më tani nga e para.
Themi se janë konfiskuar pak pasuri, kaq i disponon një zyrtar jo fort tahmaqar në përvetësimin e parave të shtetit, sepse nuk mund të pranohet asnjë justifikim se nuk mund të gjenden ku janë dhe mbi të gjitha të kujt janë këto pasuri.
Shqiptarët e dinë se e kujt është vila në ‘iks’ resort, në bregdet apo në Tiranë, e dinë se i kujt është pallati ku ‘këndon’ përnatë ish lideri historik i demokratëve, e dinë se i kujt është pallati i tërë si familje në Sarandë, anipse është nga veriu poseduesi i tij, e dinë se të kujt janë vilat në Gjirin e Lalzit, të gjithë të ardhur nga zona ku ‘ha pula gurë’ nga veriu në jug, kush i paguan rojet private që për qamet nuk të lënë të hysh në këto resorte në bregdetin e Durrësit, pra në Lalz. Madje dhe të dhunojnë po tentove, dhe nuk denoncojnë pronarët kur u vidhen vilat.
Mjafton të pyesësh vendasin më të thjeshtë dhe ai të tregon me data se kur janë hedhur themelet, kur janë barazuar muret, kur është hedhur çatia, kur janë sjellë me helikopter pemët dekorative për t’u mbjellë, sa herë në javë vijnë të ‘qetësohen’ në këto vila.
Madje të tregojnë dhe sa herë sjellin të dashurat për të kaluar mesjavën dhe gjëra të tjera të këtij lloji. Por dhe po t’i pyesësh për bizneset, të tregojnë me detaje se kush është administratori që bën si pronar, kush është vëllai apo kushuriri, kunati apo pensionisti që bën si pronar por paguhet mijëra euro në muaj për të qënë ‘violinë’ e parë për organet ligjzbatuese, për të paguar taksat apo për të bërë transaksionet financiare të nevojshme për një biznes, të tregojnë dhe se kush qëndron pas tyre, politikan, ish zyrtar apo zyrtar i lartë.
E dinë madje dhe se te kush noter, kjo vlen për t’u diskutuar, kanë nënshkruar kontratën e padeklaruar noteriale ‘tet a tet’ mes pronarit të vërtetë dhe administratorit të deleguar në pronësi të vilës, apartamentit të stërmadh apo biznesit, në mënyrë që të mos i dalë nga fjala(llafi) dhe t’i përvetësojë pasurinë e fituar me ‘mund dhe djersë’ në kurriz të shqiptarëve.
Pra shqiptarët e thjeshtë dinë gjithçka në detaje. Madje dhe kur lënë takime me njerëzit e tyre, nuk mbajnë mend as emër rruge dhe as lagjeje shqiptët, e kemi këtë defekt, por thonë: Afër vilës së ‘iks’ politikani, zyrtari apo ish zyrtari, te trojet e ‘ypsilon’ politikani, zyrtari apo ish zyrtari, tek rruga që ndan biznesin e këtij apo atij politikani, zyrtari apo ish zyrtari. Themi dhe ish zyrtarët, madje më shumë këta të fundit sepse i kanë konsoliduar me kohë e vakt bizneset, vilat dhe pallatet.
Kaq të bëjnë prokurorët e posaçëm, të shkojnë dhe të pyesin, të tentojnë të hyjnë në ‘bllokun e ri’ të politikanëve në Gjirin e Lalzit, në periferi të Tiranës apo kudo ku janë grumbulluar në shtëpitë super të mëdha dhe super luksoze, për të ‘prehur kockat’ familjarisht nga lodhja e tepërt ‘me punët e këtij vendi’, por më shumë me punët e veta.
Nuk themi që SPAK të mbledhë thashethemet, por t’i marrë si indicie këto informacione ‘bio’ nga vendalinjtë që kanë komshinj parelinjtë politikanë, që pa pasur as një trashëgimi apo pa bërë asnjë biznes, të gjithë ish ‘brekëgrisur’ me rroga shteti, kanë arritur të bëjnë tërë këto pasuri, pjesa e dukshme themi. Por dhe ajo e dukshmja i tejkalon katër pesë-fish të ardhurat që kanë marrë në tërë jetën e tyre, edhe sikur stomaku i tyre të punojë me ujë apo me elektricitet, dhe sikur të mos kenë shkolluar familjet e tyre jashtë shtetit, edhe sikur të mos bëjnë çdo fundjavë udhëtime në vendet më luksoze të botës, dhe që për hir të së vërtetës nuk lënë rast pa i hedhur në rrjetet sociale. Në të gjitha më të mundshmet, duke ia kaluar dhe Kim Kardashian apo Leonardo DiCaprit për nga numri i postimeve dhe luksi i publikuar.
Eshtë me vend të përmendim një rast nga Turqia e Ataturkut të madh. I cili në përpjekje për të konsoliduar shtetin e ri të krijuar pas shpalljes së Republikës, që ishte mbërthyer nga korrupsioni, iu dha rasti që të merrte pjesë dhe në një dasmë të një anëtari të kabinetit të tij qeveritar.
Sapo hyri te banesa e ministrit të tij, u shokua nga luksi. Thirri këshilltarin dhe i tha që të mbante shënim që nga vendosja e shtyllave si të Akropolit me luanë mermeri në krye, e deri tek pemët ekzotike të mbjella në oborrin e bollshëm, te shtëpia e stërmadhe e akomodimi modern, pishina e deri tek kafshët po ekzotike që lëvrinin në kopshtin zoologjik privat në skaj të vilës.
Ataturku i tha këshilltarit të tij, të konsultohej me ekspertët, t’i llogariteshin ministrit të gjitha të ardhurat familjare deri këtu, sa pasuri kishte trashëguar, shpenzimet jetike për një njeri mbi mesataren, pra të pasur, dhe shpenzimet e kryera për këtë vilë. Shtuar dhe shpenzimet e dasmës marramendëse. Të bëheshin zbritjet e shpenzimeve, dhe t’i tregonte nëse dilnin në rregull.
Rezultati ishte shokues. Ataturku menjëherë kërkoi nga organet ligjzbatuese konfiskimin e të gjithë pasurisë që ishin mbi të ardhurat reale të këtij ministri, i ktheu në valutë dhe i futi në arkën e shtetit. Për vetë ministrin dihet. Në Turqi ishte në fuqi dënimi me vdekje. Dhe një aksion i tillë vijoi për vite me radhë, duke kthyer në arkën e shtetit paratë e vjedhura. Aq sa mundi. Prandaj ai quhet “Ataturku i madh” apo “Babai i Kombit” turk!
E përmendëm këtë shembull për të treguar se mund të bëhet lehtë dhe në Shqipëri një gjurmim i tillë parash, një kryqëzim i tillë të dhënash dhe nxjerrja e asaj që është vjedhur nga arka e shtetit. Edhe në rast se administratori i deleguar i këtyre pasurive rezulton tepër i vendosur për të bërë ‘pronarin’, në mbrojtje të shefit të vet që i paguan deri në 20 mijë euro pagë mujore, prokurorët e posaçëm e dinë si ta ‘zbërthejnë’ dhe atë. I futen me themel dhe pronarit të rremë, se ku e ka bërë pasurinë, kur e me çfarë. Atëherë sërish paratë e abuzuara kthehen në arkën e shtetit, pavarësisht se kujt i konfiskohen. S’ka rëndësi.
Pastaj kalohet në rrethin e dytë, hetimin e parave nëpër bankat e nivelit të dytë në Shqipëri. Në bazë të vendimit të qeverisë, SPAK, Byroja Kombëtare e Hetimit, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe SHISH, kanë akses të përhershëm të futen dhe të verifikojnë në çdo kohë të gjitha llogaritë bankare në regjistrin qendror si dhe në kasaforta e çdo person fizik apo juridik në bankat e Shqipërisë. Akses të plotë në llogaritë bankare ka edhe Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe Prokuroria e Përgjithshme.
Pra mund të futen dhe të kontrollojnë lëvizjet bankare që janë bërë në bankat e nivelit të dytë në Shqipëri, për blerje të mëdha, transferta nëpër bankat e huaja dhe deri tek investigimi se sa para kanë hyrë përmes ‘parajsave fiskale’ apo ofshoret sikurse quhen rëndom. Qoftë dhe në emër të kompanive fantazmë. E kanë këtë akses organet e reja të drejtësisë dhe ato ligjzbatuese shqiptare. Ndoshta dhe e kanë bërë, dhe janë në radhë për t’u hetuar, dhe nëse po, besimi tek drejtësia e re shtohet akoma më shumë ndër shqiptarë.
Por ka dhe një element tjetër që vjen në ndihmë të zbardhjes së pasurive të shqiptarëve pasunarë, politikanëve, zyrtarëve e ish zyrtarëve, sipas interesit që kanë organet ligjzbatuese shqiptare.
Në vitin 2012 Shqipëria nënshkroi konventën ndërkombëtare për ndihmën në çështjet tatimore. E iniciuar nga OECD si mekanizëm për të luftuar evazionin në shkallë globale, konventa parashikon shkëmbimin e informacionit financiar mes 130 vendeve të botës, përfshirë parajsat më të mëdha fiskale në botë.
Shqipërisë ju la 8 vite kohë për t’u përgatitur dhe nga qershori i vitit 2021 shteti shqiptar është i detyruar nga firma e nënshkruar në konventë që të bëjë shkëmbimin automatik të informacionit. Sipas konventës, brenda 30 majit 2021 të gjitha bankat shqiptare janë të detyruara të raportojnë pranë drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, llogaritë bankare të çdo shtetasi të huaj, rezident në 130 vendet që kanë nënshkruar konventën. Drejtoria e Tatimeve më pas këtë informacion e raporton automatikisht te homologia e saj e vendit ku është rezident personi që ka llogarinë.
Ky shkëmbim sipas Konventës funksionon në të njëjtën mënyrë dhe në krahun tjetër. Pra, të 130 vendet anëtare të Konventës dërgojnë në drejtorinë e përgjithshme të tatimeve listën e shtetasve shqiptarë që kanë para të mbyllura në bankat e këtyre vendeve. Mes vendeve që do të kenë detyrimin për të dërguar listën janë ishujt Kayman, Qipro, Zvicra, dhe të gjitha parajsat më të mëdha fiskale të botës. Kjo mënyrë shkëmbimi të dhënash sipas Konventës ka 5 vite që ka nisur.
SPAK besojmë se i ka këto informacione. Pa munguar të shtojmë këtu edhe bashkëpunimin e shkëlqyer me organet ligjzbatuese të aleatëve tanë, SHBA, BE e Britania, por dhe Zvicra, me drejtësinë e re shqiptare, e cila s’përkthehet vetëm në mbështetje politike, profesionale përmes trajnimeve dhe mbështetjes financiare, por dhe në shkëmbimin e informacioneve, në rastin tonë, të numrave të llogarive që i kanë ‘shpëtuar radarit’ të vendeve respektive nënshkruese të konventës. Sidomos të parajsave fiskale të ishujve në Paqësorit, apo dhe në zotërim të Komunuellthit britanik. Pa harruar Londrën. Shpresojmë që SPAK po i përpunon këto të dhëna.
Prandaj themi se është tërësisht e mundur që paratë e vjedhura nga ana e politikanëve, zyrtarëve dhe ish zyrtarëve të korruptuar, mund të kthehen në një mënyrë apo tjetër në arkën e shtetit shqiptar, pas sekuestrimit dhe konfiskimit total të tyre.
Mund dhe të plotësohet dhe kërkesa e kreut të SPAK Altin Dumani e bërë në KPP për të shtuar numrin e oficerëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Madje dhe mund të dyfishohet numri i prokurorëve të posaçëm, në mënyrë që të operohet më shpejt, por dhe që të jenë më të freskët për të bërë si duhet dhe në kohën e duhur punën e tyre.
Për shqiptarët në përgjithësi rëndësi ka kthimi i parave të përvetësuara në mënyrë abuzive në arkën e shtetit, për t’i investuar në rrugë, turizëm, shëndetësi, arsim, balancimin e pensioneve apo dhe për të ndihmuar njerëzit në nevojë. Do bëhej një mrekulli me këto para, që po të hyjnë në arkën e shtetit janë si të falura. Madje mund të zeronin dhe borxhin e shtetit shqiptar.
Nuk u intereson shumë shqiptarëve se sa dënohet një politikan, zyrtar apo ish zyrtar i korruptuar. Dënimin shqiptarët e lënë në dorën e drejtësisë, dhe ju garantojmë, se nëse u merren paratë të korruptuarve, askush nuk do të interesohet me sa vite burg do dënohen ata. Të bëjë çfarë të dojë drejtësia me ta, pasi t’u merren lekët. Kuptohet, që në këtë rast nuk bëhet fjalë për qëndrim jashtë qelie të urdhërdhënësve e autorëve të korrupsionit të përgjakshëm ku kanë humbur jetë njerëzish si në rastin e “Gërdecit” dhe ’21 janarit”. Për rastet e tjera, ju garantojmë se niveli i korrupsionit do të ulet 50 përqind më shumë nëse u merr paratë të korruptuarve, dhe sikur t’i lësh të lirë pa asnjë ditë burg. Që të mos hanë supën e burgut kot, sepse dhe ajo paguhet nga taksapaguesit shqiptarë dhe kushton miliona.
Përndryshe çdo zyrtar që e ka në ‘gen’ pasurimin e shpejtë duke përvetësuar paratë e shqiptarëve, pra është një hajdut funksional, për 5 milionë euro i thotë vetë burgut ‘hapu’. Pasi me pak sjellje të mirë dhe gjëra të tjera të këtij lloji do dalë shpejt nga qelia dhe do gëzojë milionat e vjedhura.
Ndaj SPAK të gjurmojë paratë, dhe t’i lërë pa asnjë lek të përfituar përmes abuzimit të gjithë të kurruptuarit, duke ua marrë të gjitha dhe duke i kthyer në arkën e shtetit. SPAK ka rastin të kthehet në një “Robin Hud” i kohëve moderne, duke treguar vullnet të fortë për respektimin e ligjit në këtë vend. Në rrugë të mbarë është!