Ambasadorja shqiptare në Izrael, Meri Kumbe në një intervistë për Report Tv ka dhënë detaje mbi shqiptarët që ishin bllokuar në Izrael për shkak të mbylljes së aeroporteve pas sulmit iranian. Një grup pune me zyrtarë të Ministrisë së Turizmit ndodheshin në Izrael me familjarët, ku kanë marrë pjesë në disa aktivitete.
Ambasadorja shqiptare në Izrael shpjegoi se të gjithë janë nisur drejt Tiranës, ndërsa tashmë në Izrael ndodhen edhe dy përfaqësues të Dhomës së Tregtisë, të cilët pritet të nisen drejt vendit tonë ditën e nesërme.
“Janë larguar nga vendi. Kjo javë në Izrael ka qenë e mbushur me aktivitet ndërkombëtare në kuadër të turizmi dhe teknologjisë, dy përfaqësuesit e Dhomës së Tregtisë, janë ende në Izrael. Presin një njoftim, brenda ditës së nesërme do kthehen. Pjesa tjetër janë larguar. Mbyllja e aeroporteve në orët e vona të mbrëmjes së djeshme krijoi një shqetësim te ata qytetarë që do duhej të udhëtonin. Aeroporti u mbyll për rreth 7 orë. Sot ka nisur puna normalisht dhe aeroporti po kthehet në programin e zakonshëm”, tha ambasadorja Kumbe për Report Tv.
Ata duhej të ktheheshin me linjën ajrore të orës 05:00 të mëngjesit të sotëm, por për shkak të sulmit Izraeli mbylli hapësirën ajrore, e cila tashmë ka nisur fluturimet.
Ambasadorja tha se më kërkesë të prindërve edhe 10 studentë shqiptarë janë larguar nga Izraeli, ndërsa theksoi se janë në kontakt gjatë gjithë kohës me komunitetin shqiptaro hebre.
“Ka dy kategori, komuniteti shqiptaro hebre, janë të tërë në Izrael dhe në asnjë rast nuk kanë kërkuar ndihëm tonë. Jetojnë këtu prej 30 vitesh, janë shëndoshë e mirë, jemi në kontakt me ta. Pjesa tjetër janë 10 nxënëse që janë nisur dot për në Tiranë me vendimin e prindërve. Dhe grupet e punës janë larguar, 2 persona janë aktualisht këtu”, tha Kumbe.
Ndërkohë edhe turistë shqiptarë që kanë qenë në Jordani kanë arritur që të largohen. Ambasadorja tha se kjo situatë shkaktoi shqetësim, por sot dita është e qetë.
Pjesa e turistëve që kanë qenë në Jordani kanë mundur të largohen sot, pasi sulmi i djeshëm bllokoi të gjitha aeroportet e rajonit. E gjithë situata krijoi një lloj shqetësimi, dita e sotme ka qenë e qetë. Qytetarët kanë vajtur në punë, gjithçka funksionin si një ditë normale.
Që nga muaji tetor 2023, ambasadorja tha se janë evakuuar 330 persona nga Izraeli drejt Shqipërisë
“330 persona që nga tetori 2023 ikën nga Izraeli drejt Shqipërisë. Kemi një sistem të ngritur, jemi pjesë e një zinxhiri komunikimi që është aktivuar menjëherë ditën e djeshme dhe kemi gjatë gjithë natës duke punuar, deri në përfundim të sulmit. Procesi për qytetarët ka qenë i komplikuar se kanë panik”, vijoi ambasadorja. (Shqiptarja.com)