120 vjet nga krijimi si klub, Bayer Leverkusen vetëm këtë sezon fitoi titullin e parë të Bundesligës. Këtë e bëri me Xabi Alonson në stol dhe një lojtar të sprovuar si Granit Xhaka në regjinë e mesit të fushë.

Festa në zyrtarizimin e trofeut ka qenë madhështore, me më shumë se 30 mijë tifozë që pushtuan fushën e “BayArenës”. Stafi i Leverkusen, përfshi trajnerin dhe lojtarët festuan me birrë, një traditë kjo në Gjermani.

Pas ndeshjes për DAZN spanjolli Xabi Alonso u shpreh se është nder të fitosh këtë trofe pas 120 vitesh.

“Është një moment i veçantë për të fituar Bundesligën. Për herë të parë në historinë e Leverkusenit, pas 120 vitesh. Është një nder i madh të jesh pjesë e tij. Ndoshta është gjithashtu e shëndetshme për ligën dhe futbollin gjerman që një ekip tjetër fiton. Është një gëzim i madh që jemi këtu. Është një moment i mrekullueshëm, është një moment për të festuar. Ne duhet të shijojmë sot, të festojmë me miqtë dhe familjet. Është diçka e veçantë të fitosh Bundesligën për herë të parë”, tha Xabi me lojtarët që i derdhën “lumë” birre në kokë.