Një projekt që parashikon furnizimin 18-24 h me ujë të pijshëm është duke u zbatuar në qytetin e Elbasanit, me vlerë 13.8 milionë euro. Investimi parashikon shtrimin e 2.6 km tubacione kryesore dhe 42.5 km tubacione shpërndarje.
“Do përfitojnë 50 mijë banorë të qytetit”, tha Julian Doçi, drejtor Teknik UK Rajoni Elbasan. Ndërkohë që po punohet paralelisht në 8 rrugë shqetësim i qytetarëve mbetet gjendja e rrugëve pas investimit.
“Do sjellim siç kanë qenë në gjendjen e mëparshme rrugët që janë prekur nga projekti”, tha drejtori. Investimi i cili pritet të përfundojë brenda dy viteve ka si qëllim garantimin e sasisë, por mbi të gjitha cilësisë së ujit. Në lidhje me këtë, pranë stacioneve të furnizimit do të rehabilitohet edhe sistemi i ujërave të ndotura.