Nga Mero Baze/
Në gjithë daljet e fundit të Argita Berishës, ka një përpjekje për ta paraqitur mundësinë e saj për t’u shfaqur si trashëgimtare e babait në parti, si një shantazh. Sa herë që pyetet për këtë çështje, ajo e thotë në mënyrën kushtore, se “Edhe mund të kandidoj”, apo, “Po më detyrojnë që të dal në shesh të betejës”, “Po më detyrojnë të përshkallëzoj veprimet dhe të hyj në politikë” etj.
Pra gjithë retorika e saj politike, në mbrojte të babait dhe burrit, bazohet tek “kërcënimi” se ajo mund të bëjë hatanë dhe të “kandidojë”.
Të themi që këtë kërcënim e ka për drejtësinë është banalitet, pasi SPAK, nuk trembet nga Sali Berisha e s’ka pse trembet nga Argita, të cilën po ashtu e ka familjarisht nën hetim. Nuk na rezulton që SPAK të jetë trembur nga Berisha, Meta, Rama apo kushdo që është bërë subjekt i hetimit.
Ndaj dhe duket që Argita nuk e ka me SPAK.
Të themi që këtë kërcënim e ka për shumicën në pushtet është akoma më banale. Socialistët fshehurazi, të vetmen ëndërr që kanë për ta mbajtur opozitën varrezë të hapur, kanë strategjinë që pas Saliut të kenë përballë Argitën. Kështu e shtyjnë pesëdhjetë vjet në pushtet. Ata, jo që nuk janë të trembur, por lusin të ndodhë kjo mrekulli. Por sado e trashë që duket në daljet publike, Argita besoj e kupton kaq gjë.
Ajo që është e besueshme, është se Argita është duke shantazhuar opozitarët që kanë braktisur babain. Një grusht njerëzish të paguar poshtë penxheres dhe akoma më pak para Bashkisë, ku i kërkojnë Erion Veliajt të “lirojë babain” e Argitës, duket se janë tablotë dëshpëruese të familjes Berisha, që është braktisur në hallin e saj nga opozitarët.
Çdo opozitar të flakte që takon, dhe nga ata që mbështesin Rithemelimin nga Jugu në Veri, tani kanë të qartë vetëm një gjë, që beteja e Berishës është betejë për hallet e tij dhe fëmijët e vet. Dhe kjo natyrisht ua ka neveritur. Pasi kanë duruar vjedhjet e tyre, tani duhet të durojnë dhe beteja për të mbrojtur ata.
Vet Argita e ka artikuluar disa herë se jemi në një situatë të dëshpëruar dhe ajo vet është për veprime dhe më radikale se ato molotovët mbi bashki.
Por puna është që nuk u shkon njeri pas.
Dhe kur thotë se nëse vazhdon situata kështu, ajo mund të përshkallëzojë veprimet dhe të hyjë në garën politike, ka parasysh pikërisht opozitarët që janë me Berishën duke pritur të vdesë e t’i zënë vendin, dhe jo për t’i dorëzuar çelësat Argitës.
Ajo thjesht është duke i kërcënuar ata, ose më mbroni babain, ose do dal ta marr partinë e ta mbroj vet.
Dhe është një kërcenim që ka sens, pasi realisht gjithë opozitarët më shumë janë të dëshpëruar nga shfaqja e saj, se sa nga Edi Rama. Ajo e ka kuptuar këtë dhe është duke u dhënë paralajmërimin e fundit, “Ose na mbroni, ose do ta marrim vetë në dorë”.
Në fakt në dorë e kanë, por nuk kanë fuqi. Dhe shkaku i impotencës opozitare e ka emrin Argita Berisha Malltezi. Ajo shkref dhe opozitarin më të eksituar politikisht nga Sali Berisha.