Kanë dalë detaje nga ekzekutimi i shqiptarit Roan Brahimi në Greqi mbrëmjen e djeshme.

Ai u qëllua në automjetin e tij për vdekje nga dy persona të cilët ishin me një motoçikletë. Gruaja 37-vjeçare që ndodhej me të në makinë, i shpëtoi këtij atentati duke u plagosur lehtë. Sipas mediave greke, Roani jetonte me gruan e tij e pranë vendit të ngjarjes. Sipas dëshmitarëve ata kishin shkuar të merrnin vajzën e tyre e cila po luante me fëmijë të tjerë.

“Vajza ime e vogël po luante me fëmijën e tij, dëgjuam të shtënat dhe vrapova për të parë nëse ishte diçka apo ishte thjesht një lojë. Vogëlushja qante dhe thoshte “babai im, babi im”, thotë një grua dëshmitare.

Dëgjuam të shtënat, menduam se ishin ato për Pashkë, dinamit. E kuptuam që diçka ndodhi, vrapuam, pamë makinën të parkuar në cep dhe gruaja e tij bërtiste “ndihmë, ndihmë”. Erdhën për të marrë fëmijën që luante”, përshkruan një dëshmitar okular, duke përmendur se çifti ishte vetëm në makinë.

“Ishin dy të shtëna, si dinamit. E pashë djalin të mbuluar me gjak”, thotë një tjetër dëshmitar okular.