Shqipëria pritet të përballet me një sezon të ngjeshur turistik, teksa rezervimet e biletave për periudhën qershor gusht të këtij viti kanë arritur rekorde të reja. Statistikat janë publikuar nga Instituti Ekonomik i Mastercard, i cili ka analizuar prenotimet e fluturimeve për tre muajt e verës. Sipas të dhënave, në vendin e parë me rritjen më të madhe të rezervimeve në botë rezulton qyteti i Mynihut, ku gjatë verës pritet të mbahet kampionati Europian i Futbollit.
Tirana rezulton qyteti me rritjen e trete me te madhe ne bote te rezervimeve per qershor-gusht 2024
Tokio renditet në vendin e dytë në listë, ku një jen historikisht i dobët dhe një vit i plotë pa kufizime i ka kthyer turistët në valë më të larta se nivelet historikisht normale. Ndërsa Japonia ka parë tashmë një fluks të jashtëzakonshëm pasagjerësh që fluturojnë në vend, këto të dhëna sugjerojnë se vrulli vazhdon të rritet.
“Numri tre në listë mund të pritet më pak. Tirana në Shqipëri gjendet pranë shumë hoteleve bregdetare dhe është veçanërisht shumë më miqësore me portofolin në krahasim me qendrat kryesore të turizmit në vendet e tjera bregdetare të Evropës,” thuhet në raport.
Bum fluturimesh
Me konsumatorët që po përshtaten me çmime më të larta, destinacionet më të lira por me diell po shohin rritje të fortë të udhëtimeve. Sipas të dhënave, rezulton se në vitin 2024, destinacionet më të lira bregdetare të Shqipërisë, Kroacisë dhe Turqisë po regjistrojnë ndër rritjen më të lartë të trafikut të fluturimeve.
Shqiperia rezulton vendi me rritjen me te larte te fluturimeve ditore ne Europe
“Turizmi në Shqipëri është rritur fuqishëm, ku numri i linjave të fluturimeve është dyfishuar që nga viti 2019, ndërsa fluturimet ditore të regjistruara në prill të këtij vitiishin 2.4 herë më shumë se sa në prillin e vitit 2019, përpara pandemisë,” shkruan raporti.
Aeroporti i Tiranës ka para rritje shpërthyese të pasagjerëve edhe gjatë 4 muajve të parë të këtij viti. Të dhënat tregojnë se deri në fund të muajit prill, në Rinas u regjistruan mbi 3 milionë pasagjerë, por vala e udhëtarëve pritet të jetë shumë më intensive gjatë pikut të sezonit qershor-gusht.