Dhunimi i avokatit Sokol Mëngjesi në ambjentet e një kopshti privat në Tiranë, vijon të jetë në sitën e hetimeve teksa detaje të reja dalin në dritë. Mësohet se katër autorët, konkretisht Dorian Alia, 32 vjeç; Drivald Alia, 21 vjeç; Elton Kasaj, 33 vjeç dhe Romario Tabaku, 26 vjeç, i kanë gjuajtur avokatit me leva, shqelma e doreza hekuri.

Pamjet e rënda dhe materiali policor janë dërguar në drejtim të Prokurorisë, ndërkohë që kjo e fundit ka nisur hetimet për akuzën e “Vrasjes së funksionarëve publikë” e mbetur në tentativë kryer në bashkëpunim. Autorët e ngjarjes vijojnë të jenë në kërkim nga policia, ndërsa mësohet se nëse do shpalleshin fajtor dhe dënohen nga gjykata e Tiranës për akuzën e “Vrasjes së funksionarëve Publikë” kryer në bashkëpunim por mbetur në tentativë, këta persona rrezikojnë një dënim nga 30 vite deri në burgim të përjetshëm.