Rreth orës 21.00 në urgjencën e Spitalit rajonal Durrës tre persona kundërshtuan me forcë policinë dhe rrahën në mënyrë barbare të riun.
Sipas informacioneve babai, xhaxhai dhe një tjetër kanë dhunuar të dashurin e vajzës.
Policia e Durrësit arrestoi një ditë pas ngjarjes në orën 2:30 të mëngjesit babanë K.K 41 vjeç, xhaxhanë E. K. 37 vjeç dhe një person tjetër B. K. 37 vjeç, të tre lindur në Dibër, por banues në lagjen 13 Plazh Durrës.
Top Channel ka siguruar foto të të riut, i cili ka nga dhuna ka marrë plagë në kokë, qafë, fytyrë dhe krah.
I dhunuari ka deklaruar në polici se ka një lidhje dashurore prej një viti me vajzën e familjes që e dhunuan, ai ka kërkuar që ta bëjë familjare lidhjen, por është kundërshtuar nga familja.
Ai ka deklaruar se ndodhej në spitalin e Durrësit në momentin që është dhunuar pasi ishte ndaluar nga policia për konsumim alkooli dhe ndodhej në gjendje jo të mirë shëndetësore.
Sipas dëshmisë, ai ka marrë mesazhe kërcënuese nga babai i vajzës se do t’i vriste të dy.
“Unë mendoj se arsyeja që më kanë goditur ka qenë pasi shtetasi K. K. më ka pas kërcënuar që unë mos të dukem më në Durrës. Në një rast në bisedë telefonike, shtetasi K. K., më ka thënë të shkoj të marr vajzën dhe të zhdukem bashkë me të dhe mos të në shohë më në Shqipëri pasi në të kundërt më ka kërcënuar se do na vriste mua dhe vajzën e tij”, ka thënë i riu në dëshminë në polici.
Mbi tre personat rëndojnë veprat penale të “kundërshtimi i punonjësve të Policisë së rendit”, “plagosje e lehtë me dashje” dhe “prishje e rendit dhe qetësisë publike”.