Të paktën 8 persona mbetën të plagosur mbrëmjen e kësaj të shtune në Durrës, pasi u përfshinë në një aksident masiv. Ngjarja ndodhi pranë mbikalimit të Plepave, aty ku 4 makina u përplasën më njëra-tjetrën.

Sipas asaj që raporton gazetarja Enkeleda Arapi, mes të lënduarve, 3 janë fëmijë. Duke cituar burime nga policia, gazetarja thotë se asnjë prej të lënduarve nuk paraqet rrezik për jetën.

Në vendin e ngjarjes shkuan shërbimet e ambulancës dhe policisë. Kjo e fundit, përveç hetimeve për të zbardhur rrethanat e këtij aksidenti të shumëfishtë, ndërhyri edhe për të normalizuar qarkullimin e automjeteve.