Shqipëria renditet e fundit në Europë bashkë me Turqinë për mbështetjen financiare për familjet në nevojë (ato përfshijnë, përveç kujdesit shëndetësor, kostot e shtatzënisë, lindjes dhe birësimit, kujdesin ndaj fëmijëve dhe kujdesin për anëtarët e tjerë të familjes). Sipas të dhënave të Eurostat në vitin 2021, vendet e BE-së shpenzuan mesatarisht 777 € për person për përfitime familjare, nga 561 € në 2011.
Ndërsa Shqipëria shpenzoi vetëm 45 euro për frymë për familjet në nevojë me fëmijë në vitin 2021, duke u renditur e parafundit pas Turqinë me 37 euro për frymë. Vendet me shpenzimet më të larta për përfitimet familjare për person në vitin 2021 ishin Luksemburgu (3611 euro), Danimarka (1858 euro) dhe Gjermania (1575 euro). Vendet me shpenzime më të ulëta ishin Bullgaria (161 euro), Greqia (243 euro) dhe Rumania (244 euro).
Në BE, përfitimet familjare përfaqësonin 8.3% të totalit të shpenzimeve për përfitimet e mbrojtjes sociale në vitin 2021. Në përqindje Polonia kishte shpenzimet më të mëdha (15% e totalit të përfitimeve sociale), Luksemburgu (14.8%) dhe Estonia (12.8%) regjistruan përqindjet më të larta të shpenzimeve për përfitimet familjare. Ndërkohë, përqindjet më të ulëta ishin në Itali (4.1%), Holandë (4.6%) dhe Qipro (4.7%). Mbështetja financiare për familjet e varfra më fëmijë është një ndër zërat e mbrojtjes sociale. Por Shqipëria gjithashtu ofron mbrojtje të ulët financiare për popullsinë në nevojë në krahasim me vendet e tjera të Europës.
Të dhënat e Eurostat treguan se 27 vendet anëtare të BE çuan për mbrojtjen sociale 39.2 për qind të buxhetit të tyre në vitin 2022, ndërsa Shqipëria në të njëjtin vit çoi vetëm 30 për qind të buxhetit. Sektori me peshën më të lartë në shpenzimet buxhetore si në BE dhe në Shqipëri është ‘Mbrojtja sociale’, me 30 për qind të shpenzimeve të përgjithshme publike në vitin 2022. Ky zë dominohet nga shpenzimet për fondin e pensioneve si edhe programet në mbështetje të familjeve dhe individëve në nevojë (ndihma ekonomike dhe aftësia e kufizuar).
Por Shqipëria ndan nga buxheti i saj për këtë zë rreth 9.2 pikë përqindje fonde më pak se Bashkimi Europian. Institucionet Financiare ndërkombëtare e kanë këshilluar qeverinë shqiptare që të rrisë investimet tek kapitali njerëzor, duke sugjeruar më shumë fonde për arsimin, shëndetësinë dhe mbrojtjen sociale. Në kushtet e plakjes së popullsie, rënies së lindjeve dhe emigracionit të lartë vendi po përballet me nevoja emergjentë për kujdes sidomos për moshat e vjetra. Shqipëria nuk ka ngritur asnjë infrastrukturë për kujdesin ndaj moshës së tretë teksa vendi po përballet me pleqërimin e bumit të lindjeve në vitet 1960-70./ Monitor