Sylvinho dhe Federata Shqiptare e Futbollit ende nuk kanë rinovuar kontratën, me marrëveshjen e parë që skadon më 31 korrik 2024. Përpara Euro 2024 që zhvillohet nga 14 qershori – 14 korrik në Gjermani, emri i trajnerit të kombëtares shqiptare është shumë i përfolur në Portugali.
Bëhet fjalë për klubin e Arouca që e zhvillon aktivitetin në Premier Ligën e Portugalisë dhe e ka qendrën pranë Portos, qytet në të cilin Sylvinho ka një banesë.
Sport Tv në Portugali bën me dije se drejtuesit e Arouca janë ambiciozë dhe kanë kontaktuar tanimë trajnerin e Shqipërisë për t’i thënë se e duan në ekip. Vendi i shtatë këtë sezon në kampionat dhe financat e shëndosha kanë bërë që Arouca të kërkojë më shumë.
Megjithë interesin e shtuar nga portugezët, i njëjti burim bën me dije se Sylvinho me punën e bërë te kuqezinjtë ka inters nga klube më të mëdha dhe do jetë e vështirë një marrëveshje me Arouca. Tanimë është në dorën e FSHF-së që të bindë trajnerin për rinovimin e kontratës, duke mos lënë gjithçka për në minutën e fundit.
Duket se plani i brazilianit është që të shohë të ardhmen pas Euro 2024, kjo edhe në bazë të paraqitjeve në Gjermani. Fakt është se puna e mirë me Shqipërinë i ka sjellë Sylvinhos shumë famë edhe si trajner, duke qenë i dëshiruar nga shumë klube.