Deklaratat e analistit Arian Curri në emisionin “Top Story”, se Prokuroria e Posaçme ishte tërhequr nga vendimi për të arrestuar Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin vetëm sepse ai e kishte bërë këtë “fakt” publik më parë në media, kanë nxitur reagim të fortë të gazetarëve të gjyqësorit.
Një grup gazetarësh të njohur të kronikës dhe gjyqësorit, të akredituar pranë SPAK, i janë përgjigjur Arian Currit me një shkrim të gjatë dhe me fakte që dalin për herë të parë në publik. Ata theksojnë se shkrimi është verifikuar dhe punuar me korrektësi, ndaj kërkojnë përgjigje nga Curri.
“Ne gazetarët e terrenit në SPAK jo vetëm nga kureshtja, por nga sfida e humbjes së lajmit nuk lamë gurë pa lëvizur! Vërtet, Curri ka të drejtë? Por jo zyrtarisht SPAK konfirmon për disa nga ne se ajo deklaratë është lajthitje. E fundja për disa K (views) njeriu merr përsipër të vërë në dyshim ata që prej vitesh, muajsh e çdo ditë ndershmërisht duke pritur rrogën punojnë në oborrin e prokurorisë”, thuhet në shkrim.
Ky grup gazetarësh, publikon për herë të parë dy fotografi nga një pagëzim në kishë a manastir dhe i pranishëm është dhe analisti Arian Curri.
Sigurisht, jo me kostumin e shndritshëm që shfaqet çdo mbrëmje “prime” në Top Channel, por me pelerinën e një prifti në tentativë. Madje, sipas hulumtimit të këtyre gazetarëve, analisti nuk ka pasur as emrin Arian, por Aleks.
“Por e shkuara tregon se i nderuari z.Curri që sot ka nisur të flas si gazetar i SPAK është një Prift i mbetur në tentativë! Me emrin e dikurshëm Aleks Curi ai kritikonte mediat për trillime ndërsa sot trillon nga komoditeti kolltuqeve në media! Vallë përse?
Përse e ka ndryshuar emrin z.Curri, nga Aleks në Arjan? Përse z.Curri u largua nga Manastiri Ardenicës?
Këto janë fotot e zotit Curri me profesionin e tij si prift të cilin e ka braktisur vite më parë. Po ashtu, ne foto dhe shkrimi që mban emrin e z.Aleks Curri i cili me të drejtën e tij thotë se media duhet të merret me faktet dhe jo trillimet”, thuhet në artikullin e publikuar nga WebLajm.