Gazetarja Klodiana Lala ka komentuar zhvillimet e fundit në strukturën e posaçme anti-korrupsion dhe hetimet që po kryhen ndaj kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Metës dhe bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi.

E ftuar në “Breaking” me gazetaren Fiori Dardha në Top Neës, Lala shpjegoi se prokurorët e SPAK nuk regjistrojnë emrin e personit nën hetim por çështjen për të cilën hetojnë, për shkak se kështu fitojnë më shumë kohë në dispozicion për hetim.

“SPAK regjistron veprën penale jo emrin e personit në hetim. Duke e bërë këtë ka afat disa vite sepse nuk e ka të individualizuar veprën penale. Deri tani ka qenë nën hetim roli i Ilir Metës. Ata shfrytëzojnë këtë mundësi që u jep ligji sepse në momentin që regjistrojnë një emër të një politikani kanë afat të kufizuar hetimi, maksimumi 1 vit”– u shpreh Lala.

Ndër të tjera, ajo zbuloi se për hetimin e Metës dhe Kryemadhit, ka një dosje voluminoze dhe janë dërguar disa letërporosi në vende të ndryshme, disa prej të cilave kanë kthyer përgjigjie.

“Është kërkuar informacion me letër porosi në Vjenë, Pragë, në Britaninë e Madhe. Disa prej letër porosive kanë mbërritur. Është kërkuar informacion për kontratat lobuese në SHBA, janë pyetur dhjetëra dëshmitarë, është pyetur vetë Meta e Kryemadhi. Kjo çështje voluminoze kërkon kohën e vetë”- shtoi ajo.

Gazetarja theksoi se Meta nuk po hetohet vetëm për aferën “CEZ-DIA” por edhe për pasurinë e tij dhe të familjarëve të tij për të provuar nëse është ndërtuar nëpërmjet burimeve të ligjshme.

“Meta-Kryemadhi nuk ka mbetur vetëm tek CEZ-DIA por po hetohen të gjitha pasuritë e përbashkëta të çiftit. Këtu flasim për të gjitha pasuritë që kanë ata apo njerëzit e tyre të afërm. Po bëhen hetimet për të gjetur nëse kjo pasuri justifikohet apo jo me burime të ligjshme. Patjetër që Meta dhe Kryemadhi do mbrohen në mënyrat e tyre sepse janë politikanë”- përfundoi gazetarja.