Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja tha sot se nevojitet një godinë e re për institucionin e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm. Manja, duke iu përgjigjur interesit të deputetëve në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, tha se harta e re gjyqësore që ka filluar të zbatohet në vitin 2023, ka patur efekte pozitive.

“Harta re gjyqësore ka prodhuar rezultate sa i takon efikasitetit të sistemit gjyqësor. Ende nuk është bërë një vit. Në qarkun e Dibrës, numri i çështjeve penale edhe pse u bashkuan prokuroria e Matit, edhe Bulqiza ka rënë me 500 procedime penale. Shkodra, ku ishte shqetësimi më i madh, pasi bashkohej Puka, Fushë Arrëzi, sigurisht treguesit janë pozitivë. Në përqindje janë pozitivë”, vijoi Manja.

“Si ministri Drejtësie di të them vetëm një tregues, nuk kemi patur asnjë ankesë në ministri për shkak të zbatimit të hartës së re gjyqësore, pasi shërbimet gjyqësore, të sekretarisë gjyqësore nuk u mbyllën në asnjë nga bashkitë ku kishim gjykata. E vetmja gjë është përqendrimi i trupës gjyqësore për shkak të gjykimit. Problemet janë të infrastrukturës gjyqësore, godinat që kërkohen sot për shkak të hartës. Duhet të bëjmë një godinë të re për të akomoduar gjyqtarët që do të ushtrojnë funksionin e gjyqtarit të gjykatës së apelit të juridiksionit të përgjithshëm”, tha Manja.