Projekti me Shqipërinë për migrantët po ecën mirë dhe për këtë falënderoj Edi Ramën, deklaroi kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, në një intervistë për emisionin ”In mezz’ora” të Rai3.
”Projekti me Shqipërinë po ecën mirë”, tha Meloni e pyetur lidhur me polemikat e ngritura për marrëveshjen mes Italisë dhe Shqipërisë për migrantët.
”Ky projekt do të jetë operativ pas pak kohësh. Është një projekt të cilin ne duam ta bëjmë në mënyrën më të mirë, sepse mendoj se është një projekt jashtëzakonisht strategjik.
Ajo që të gjithë duhet të kuptojnë është se nëse marrëveshje me Shqipërinë funksionon, kjo mund të ndryshojë shumë politikën evropiane të menaxhimit të migracionit dhe për këtë, e majta italiane është shumë nervoze”, theksoi Meloni.
”Më bën të qesh fakti që shumë nga eksponentët e Partisë Demokratike Italiane fillimisht na akuzuan se duam të ndërtojmë një Guantanamo në Shqipëri dhe tani ankohen për vonesat në ndërtimin e Guantanamos… Mos u shqetësoni se projekti do të jetë operativ, projekti do të funksionojë dhe projekti do të hapë rrugën për shumë pista të tjera”, shtoi Meloni.
”Dua t’ju tregoj një gjë. Ndërsa këtu e majta italiane po përfshinte të gjithë komisionerët evropianë dhe të gjithë liderët evropianë kur ne shpalosëm marrëveshjen me Shqipërinë për t’i treguar kujtdo se kjo gjë ishte kundër shtetit të së drejtës, ndodhi pikërisht e kundërta.
Ndodhi ajo që 15 vende evropiane nënshkruan disa ditë më parë një letër drejtuar komisionit për çështjen e migracionit ku i kërkojnë Komisionit Evropian për të ndërtuar mbi modele si marrëveshja mes Italisë dhe Shqipërisë.
Kështu që unë dua të falënderoj këto vende dhe mbi të gjitha dua të falënderoj Edi Ramën sepse ai ka qenë subjekt i të gjitha llojeve të sulmeve që kur vendosi të firmoste me ne këtë marrëveshje. Ajo që Edi Rama donte të bënte ishte thjesht të ndihmonte Italinë dhe për rrjedhojë të këtij fakti për të u kërkua të dëbohej nga Partia Socialiste Evropiane. Fakti që praktikisht Shqipëria të përkufizohet si narkoshtet, fakti që vënë në gojën e tij gjëra që ai nuk i ka thënë kurrë, le të themi, nuk janë të drejta”, theksoi ajo.
”Nuk e di nëse për të majtën italiane të ndihmosh Italinë nuk është një princip i majtë. Mua më duket se ka bërë thjesht një gjë, pavarësisht çfarë mund të mendoni për marrëveshjen, që të na japë një ndihmë dhe që të gjithë duhet ta falënderojmë për këtë”, përfundon kryeministrja italiane, Giorgia Meloni në një intervistë për emisionin ”In mezz’ora” të Rai3.