Forcat e armatosura ruse nuk janë në gjendje të bëjnë avancime të mëdha në Ukrainë. Kështu ka deklaruar kryekomandanti i NATO-s. Komentet e tij vijnë teksa trupat ukrainase janë angazhuar në beteja të ashpra me ato ruse për kontrollin e Vovçanskut, një qytet strategjik në veri-lindje të Ukrainës.
“Rusët nuk kanë numrin e duhur të ushtarëve për të avancuar strategjikisht. Për më tepër ata nuk kanë as aftësitë dhe kapacitetet e duhura për ta bërë këtë, për të vepruar në shkallë të gjerë dhe për të siguruar avantazh strategjik”, deklaroi gjenerali Christopher Cavoli, komandanti suprem i NATO-s për Evropën. Nga ana e tij Kievi ka deklaruar se e ka nën kontroll avancimin e rusëve, por një zyrtar në Moskë tha se trupat kanë burime të mjaftueshme për të vijuar. Vovçansku ka qenë një zonë e nxehtë sa u takon luftimeve të fundit. Rusia nisi një operacion në rajonin e Kharkivit javën e kaluar, inkursioni më i madh ndërkufitar që nga nisja e pushtimit në shkallë të gjerë në vitin 2022.