Në takimin me anëtarët e Asamblesë së PS-së së Qarkut të Tiranës, kryebashkiaku Erion Veliaj u shpreh se Bashkia e Tiranës do të transformojë shërbimin për 200 mijë qytetarë që përdorin transportin publik, duke e modernizuar atë me autobusë elektrikë.
Ai tha se opozita do të përpiqet ta pengojë edhe këtë punë të mirë në qytet, siç ka bërë gjithmonë me çdo punë të mirë që është bërë për Tiranën.
“Votat tona në Tiranë janë mbi 160 mijë dhe është e pamundur autobusin ta përdorin vetëm socialistët. Ndaj, për këta 200 mijë qytetarë, që nuk ndahen në të majtë dhe të djathtë, që nuk ndahen në këtë parti apo në atë parti, përgjigja jonë është: Ne do ta modernizojnë transportin publik të Tiranës. Vite më parë, kishim problematika të botës së tretë në Tiranë, ku njerëzit binin në pusetën para Presidencës. Sot flasim për një Tiranë që është transformuar totalisht, dhe me kredinë e BE dhe KFË gjermane, mund të modernizojmë transportin publik dhe nga 1 Janari 2025, për pensionistët ta bëjmë falas transportin publik. Dëgjova se PD-ja do të përpiqet, si gjithmonë, të sabotojë Tiranën. E bënte këtë në kohë të Edi Ramës, kur e sabotoi qytetin në mënyrën më mizore të mundshme. A thua se edhe vetë nuk jetonte në Tiranë!? Kërkon ta bëjë edhe sot me këta të tjerët që derdhin gjak për mandate votash, duke thënë se do të votojë kundër këtyre 200 mijë qytetarëve që e përdorin transportin publik, kundër pensionistëve që ta kenë transportin falas, dhe kundër një qyteti që ka vite që nuk i voton më, i cili në fushatën e fundit na dha fitoren më të thellë në histori me 60 mijë vota diferencë”, tha Veliaj.