Kryeministri Edi Rama, nga Athina, i dha disa premtime emigrantëve shqiptarë në vendin fqinj.
Ai tha se janë çelur negociatat në nivel ekspertësh për pensionet. Po ashtu, Rama foli edhe për marrjen e shtetësisë me natyralizim.
“Më në fund me qeverinë aktuale, se me ato më përpara, as bëhej fjalë, kemi çelur negociata në nivel ekspertësh për marrëveshjen e pensioneve me Greqinë, ndërsa deri dje nuk kishte asnjë dritë në fund të tunelit.
Ajo marrëveshje me Italinë dhe kjo me Greqinë, janë dy marrëveshjet më komplekse për shkak të peshës që kanë.
Po ashtu dhe besoj se kjo ju intereson shumë, kemi hapur edhe dialogun dypalësh në nivel teknik, për problematikën e lejeve të qëndrimit dhe për procedurën e marrjes së shtetësisë me natyralizim.
Ka goxha progres dhe unë jam besimplotë se shumë shpejt, ju do të merrni lajme shumë të mira”, tha Rama.
Më tej, kryeministri Rama theksoi se është besimplotë se marrëdhëniet mes dy vendeve do të ecin përpara.
“Unë kam besim, se më e mira mes Greqisë dhe Shqipërisë është e gjitha përpara. Duhet t’i zgjidhim të gjitha çështjet mes nesh si europianë largpamës të shekullit të 21, por jo si ballkanas sylesh të shekullit të vjetër, për t’i kthyer sa herë hapen tezat e pazareve elektorale”, tha Rama.
Bashkëpunimi në tregun energjetik është një tjetër synim i përbashkët mes dy vendeve, kur kryeministri shqiptar u shpreh se punohet për projektin e linjës së dytë të transmetimit 400 kV Fier – Arachtos.
“Një tjetër synim i përbashkët strategjik dhe i dakordësuar mes dy qeverive tona është bashkërendimi i nevojave dhe oportuniteteve ekonomike të dy shteteve tona për aksesin dhe pozitat në tregun e integruar europian të energjisë.
Sot punohet për projektin e linjës së dytë të transmetimit 400 kV Fier – Arachtos një projekt me rendësi strategjike për të dyja shtetet i cili jo vetëm konsolidon rrjetin transmetues, por fuqizon ndërlidhjen fizike të Shqipërisë dhe Greqisë për përmbushjen e kushteve të integrimit në tregun europian të energjisë duke krijuar siguri që çmimet do të jenë më konkurruese, por dhe duke zgjeruar kapacitetet eksportuese të energjisë së prodhuar nga burimet e rinovueshme në të dyja vendet”, vijoi Rama.
Pritet edhe krijimi i Dhomës së parë Shqiptaro-Greke të Tregtisë dhe të Industrisë me seli në Athinë.
“Falë angazhimit të vetë operatorëve ekonomikë këtej dhe andej kufirit, jemi në hapat e fundit të krijimit të Dhomës së parë Shqiptaro-Greke të Tregtisë dhe të Industrisë me seli në Athinë”, tha kreu i qeverisë shqiptare.
Raportet mes dy vendeve do shtrihen edhe në fushën kulturore. Rama tha se pritet miratimi i qeverisë greke për të hapur qendrën e kulturës shqiptare, për të cilën tha se qeveria shqiptare ka lëvruar edhe fondin.
“Falë nxitjes së njerëzve të ndriçuar të këtij komuniteti në Greqi, janë bërë të gjitha gati dhe pritet vetëm miratimi i qeverisë greke për të hapur qendrën e kulturës shqiptare, për të cilën qeveria jonë ka lëvruar edhe fondet përkatëse. Falë kërkesës në rritje të jetës reale të popujve që jetojnë jashtë gotës së furtunave politiko-mediatike, numri i udhëtarëve që lëvizin drejt të dyja vendeve është dhjetëfishuar”, vijoi Rama.
Kryeministri u ndal edhe në lumin ‘Vjosa’, i cili është shpallur Park Kombëtar. Rama shtoi se pas propozimit të Shqipëris, po punohet me Greqinë për të krijuar parkun e parë ndërkufitar të lumit “Vjosa” që përshkon të dy vendet.
“Një tjetër faqe e bukur bashkëpunimi dhe afrimi, e kemi hapur me propozimin tonë dhe dakordësinë me thënë të drejtën të menjëhershme të qeverisë greke për ta integruar duke bërë një integrim ndërkufitar, parkun kombëtar të Vjosë, i cili në vitet e ardhshme do të jetë një motor gjithnjë dhe më i fuqishëm i industrisë sonë të re të turizmit por duke u kthyer në një park europian të integruar ku s’ka kufi, por triumfon natyra që na bashkon qysh se kemi ardhur në këtë botë, do të jetë një shembull magnetik qoftë për çfarë mund të bëjmë së bashku, Shqipëria dhe Greqia me njëra tjetrën, për njëra tjetrën dhe për Europën tonë, qoftë për turistët dhe vizitorët nga e gjithë bota”, u shpreh kryeministri.