Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë sot takimin me shqiptarët e diasporës në Milano.
Përmes një postimi të publikuar në rrjetet sociale, kryeministri tregon përgatitjet e fundit në pallatin e sportit, ku do të zhvillohet takimi, në orën 11:00 në *Viale Gabardi, 43, 21052 Busto Arsizio VA.
Ky është takimi i dytë me diasporën i kreut të qeverisë, pas atij të 12 majit në Athinë, ku u prit nga mijëra shqiptarë, ndërsa në mbishkrim, kryeministri thotë se do të ketë edhe më shumë pjesëmarrës se në kryeqytetin grek.
“Mirëmëngjes dhe nga Rinasi ku po nisemi për vallen e dytë kuqezi në Europë, me shqiptarët e Italisë që sipas kërkesës së tyre do t’i mikpresim në një pallat sporti edhe më të madh se në Athinë, me shpresën që askush nuk do të mbetet pa gjetur vend siç fatkeqësisht na ndodhi në Greqi, ju uroj të gjithëve një të diel sa më të mbarë”, shkruan Rama.