Nga Eduard Zaloshnja

Vetëm 7/10 e zgjedhësve të këtushëm janë të vendosur të votojnë qysh sot, në qoftë se do të zhvilloheshin zgjedhje parlamentare. Kështu rezultoi nga sondazhi i përmuajshëm që zhvillova për Report TV (lexoni këtu: https://shqiptarja.com/lajm/si-e-konsiderojne-qytetaret-takimin-e-rames-ne-athine-neser-ne-repolitix-sondazhi-per-muajin-maj#760425 ).

Duke analizuar vetëm zgjedhësit e vendosur për të votuar qysh sot (shihni grafikun e mëposhtëm), rezulton se diçka më shumë se gjysma e të vendosurve do t’ia jepnin votën PS-së (votuesit e vendosur socialistë përbëjnë vetëm 36.3% të dy milionë banorëve të këtushëm në moshë për votim).

Në qoftë se sistemi elektoral do të ishte me një zonë të vetme zgjedhore me proporcional të pastër, pa prag e pa prim (siç e do PD-ja e Bashës dhe partitë e tjera të vogla), PS-së me këto vota, do t’i takonin 71 mandate parlamentare (50.9% e 140 mandateve), PD-së së Berishës 40, PD-së së Bashës 10, PL-së 5, dhe partive të tjera 13.

Me sistemin aktual elektoral (me 12 zona zgjedhore), PS-ja do të merrte sot 81 mandate parlamentare, PD-ja e Berishës 40, PD-ja e Bashës 7, PL-ja 3, dhe partitë e tjera 9 (shihni tabelën e mëposhtme).