Trekëndëshi Tiranë -Shkup-Ankara ka zënë vendin kryesor në faqet e para të gazetave të shtypit grek.

E përditshmja Ta Nea, përveç takimit të sotëm të kryeministrit Mitsotakis me presidentin turk Erdogan, shkruan në faqen e parë për sfidat e presidentes së re të Maqedonisë së Veriut Silianofska dhe të kryeministrit Rama duke renditur si sfidën e parë.

Pse u zgjodh 12 maji si datë e vizitës që përkon me një vit nga burgimi i Fredi Belerit , si i karakterizoi Edi Rama ata që nuk janë dakord me të në Greqi, si ironizoi në mënyrë indirekte kryeministrin grek dhe çfarë tha për pronat e grekëve në Shqipëri.

Nga ana e saj gazeta e djathtë Apogjevmatini ka si titull artikulli “Rama dhe Boubulina”.

Gazeta Demokracia shkruan se Rama fyeu grekët duke thënë se Greqia u takon si grekëve, ashtu edhe shqiptarëve.

Eleftheros Tipos ka titull në faqen e pare “Festa Rama”.

Kurse gazeta e së djathtës tradicionale Estia shkruan në faqen e parë: “Jemi dorëzuar tashmë. Nga njëra anë emri i Maqedonisë, nga ana tjetër takimi i sotëm Erdogan- Mitsotakis me çështjet që do hedhë në tryezë presidenti turk pa pëlqimin dypalësh, dhe së fundmi çështja çame dhe Bubulina që hodhi Edi Rama në Athinë”.

Gazeta opozitare Kontra shkruan “Katastrofë të qeverisë në politikën e Jashtme”.

Ndërsa portali Ethnos shkruan orët e fundit për dy postime që ka bërë kryeministri i Shqipërisë, pas fjalimit, fotografinë me Era Rousin dhe Noiseyn, me mesazhin se Shqipëria do “një realitet të ri”, si dhe dhjetëra fotot që ka hedhur në rrjetet sociale , sipas tij, në një ditë të paharrueshme shqiptare”.

Ndërsa reagime zyrtare nga partitë politike nuk ka , dy prej zyrtarëve më të lartë të konservatorëve, Ministri i Shtetit dhe ai i Shëndetësisë kanë deklaruar se vizita e z. Rama ishte thjesht një përgjigje ndaj përfshirjes së Fredi Belerit në listën e eurdoputetëve të Demokracisë së Re.

Nga ana e opozitës, një prej deputetëve të partisë Syriza ka theksuar se orët e fundit politika e jashtme e qeverisë Mitsotakis i ngjan një anije të mbytur me vizitë e Ramës, Maqedoninë e Veriut me çështjen e emrit dhe Erdoganin që ka ngritur përsëri sovranitetin e ishujve të Egjeut në axhendën e takimit. Nga politika e jashtme krenare e 2019-ës , u shndërruam në klientë armësh dhe mbledhës borxhesh në Ballkan- ka thënë ai.

Kurse liderit i partisë së ekstremit të djathtë Zgjidhja Greke, Kyriakos Velopoulos shigjeton Demokracinë e Re e cila sipas tij , sheh çdo gjë normale pas fjalimit Rama që u tha shqiptarëve se janë pronarë të barabartë të Greqisë si grekët dhe se Bubulina ishte shqiptare.