Rezoluta për Srebrenicën, një shuplakë për politikat gjenocidale serbe dhe një mirënjohje për viktimat
Të gjitha përpjekjet e deritanishme të Serbisë për t’i paraqitur betejat e saj si çlirimtare dhe nacionale, tani me këtë rezolutë marrin vulën e betejave të përgjakshme, pushtuese dhe gjenocidale
Nga Prof.dr. Skender ASANI
Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara e miratoi të enjten (23 maj) Rezolutën për Gjenocidin në Srebrenicë. Betejat diplomatike që i paraprinë miratimit të kësaj rezolute ishin mjaft të ashpra, sidomos ato që udhëhiqeshin nga Federata Ruse, Serbia dhe satelitët e tyre. Dëshmi e kësaj ashpërsie diplomatike është vet rezultati i votimit, ku 84 shtete votuan për miratimin e rezolutës, 19 shtete votuan kundër kurse 68 shtete abstenuan nga votimi. Të gjitha vendet e Ballkanit, përveç Serbisë, votuan për miratimin e rezolutës.
Për miratimin e rezolutës votuan edhe SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian, përveç Hungarisë, e cila votoi kundër, dhe Sllovakisë e Qipros, të cilat abstenuan nga votimi.
Kundër miratimit të rezolutës, përveç Serbisë, votuan dy vendet e mëdha aleate të saj, Kina dhe Rusia, si edhe Bjellorusia, Koreja Veriore, Kuba, Siria dhe disa shtete të vogla, ku ka ndikim Rusia.
Nëpërmjet kësaj rezolute, 11 korriku është shpallur si Ditë Ndërkombëtare e Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë, datë kjo që përkon me 11 korrikun e vitit 1995, atëherë kur forcat serbe vranë mbi 8 mijë burra dhe djemë myslimanë në Bosnjë-Hercegovinë. Me këtë rezolutë, dënohet çdo mohim i gjenocidit të Srebrenicës dhe u bëhet thirrje shteteve që të ruajnë të vërtetën. Gjithashtu, me këtë rezolutë bëhet thirrje për dënimin e atyre që glorifikojnë të dënuarit për krime lufte në rastin e Srebrenicës, praktikë kjo që ka qenë prezente në Serbi dhe Republika Srpska, ku autorët e krimeve monstruoze, Mladiq, Karaxhiq etj. janë shpallur heroj, madje disa rrugë dhe sheshe mbajnë emrat e tyre (!).
Me miratimin e kësaj rezolutë të rëndësishme, janë arritur disa efekte, por tre prej tyre janë më të qenësishme.
E para, të gjitha përpjekjet e deritanishme të Serbisë për t’i paraqitur betejat e saj si çlirimtare dhe nacionale, tani me këtë rezolutë marrin vulën e betejave të përgjakshme pushtuese dhe gjenocidale;
E dyta, edhe pse rezoluta askund nuk e përmend Serbinë në kontekstin e asaj çka kishte ndodhur në BeH, vet sjellja tragji-komike e Vuçiqit në mbledhjen e Asamblesë së përgjithshme të OKB-së konfirmoi se shteti i tij është i involvuar drejtpërdrejt në masakrën e Srebrenicës;
E treta, bota e qytetëruar tani e tutje do ta sheh me një dipotri tjetër Serbinë dhe nga ajo do të kërkojë më tepër llogari për veprimet destruktive që mund t’i bëjë në të ardhmen në BeH, në Kosovë, në Maqedoni të Veriut dhe në Mal të Zi. Sjellja si viktimë e Vuçiqit, duke u mbështjellë me flamurin serb, është një alarm për botën e qytetëruar e cila duhet ta pengojë atë në çfarëdo lloj aventure mlitariste që mund të ndërmarrë në BeH (duke bërë përpjekje për ndarjen e Republika Srpska), por edhe në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut.
Historia nacionale e Serbisë është e ngritur mbi premisa koloniale e pushtuese , që burimin e kishte në shndërimin e së kaluarës në mjegulla mitike dhe paraqitjen e humbjeve si fitore. Mbi këto premisa regjimet serbe e ndërtuan edhe narrativin e tyre triumfalist mbi Betejën e Kosovës (1389) dhe të gjitha betejat tjera të humbura ku ata e shpallnin veten fitues.
Tani me kalimin e Rezolutës mbi Srebrenicën në OKB, bota e qytetëruar do të ketë mundësi t’i rikthehet edhe njëherë rrënjëve të nacionalizmit serb, që nga Naçertanija e Garashaninit (1844), i cili në kontinuitet kishte prodhuar fatkeqësi për popujt fqij të Ballkanit, sidomos në BeH, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi e gjetiu. Kjo edhe për faktin se Serbia çdo epërsi të Rusisë në planin ushtarak e diplomatik e kishte kthyer në favor të saj, siç kishte ndodhur edhe me triumfin e saj në luftën Ruso-Turke (1877-1878), pas së cilës kishte ndodhur një fushatë e egër dhune, me pasojë shpërnguljen masive të shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit. Për rrjedhojë, Serbia e kishte përgatitur situatën që në prag të Kongresit të Berlinit (1878) gjendjen në terren ta paraqes në favor të strukturës së saj demografike, pas një spastrimi etnik të popullatës shqiptare, me çka ajo edhe u shpërblye duke ia njohur si “trofe lufte” gjithë atë hapësirë pa shqiptarë (Sanxhaku i Nishit).
Beogradi zyrtar, edhe përmes qëndrimit të Vuçiqit në seancën e Asamblesë së KB, mundohet të hedh poshtë kualifikimin “gjenocid”, duke dashur që ta heq fajin kolektiv nga populli serb. Por, me këtë rezolutë, populli serb e ka shansin të kalojë nëpër një proces denacifikimi, duke vendosur vija të kuqe në mes të ardhmes evropiane të Serbisë dhe politikave të egra gjenocidale të saj.
Populli serb, përmes kësaj rezolute e ka rrugën e hapur të bëjë zgjedhje në mes të strukturave të vjetra politike nga koha e Millosheviqit, ku bën pjesë edhe Vuçiqi dhe elitave të reja politike, me pikëpmaje dhe orientime perendimore.
Rezoluta për Srebrenicën apostrofon nevojën që të drejtohet gishti nga bartësit e përgjegjësisë për gjenocid, me çka lidershipit serb i ngushtohet hapësira e manovrimit dhe manipulimit me ndjenjat nacionale të serbëve qoftë në Serbi, qoftë në Republika Srpska, dhe në anën tjetër popullit serb i mundësohet për here të pare të fillojë procesin e pajtimit dhe mirëkuptimit me popujt tjerë në Ballkan, proces ky që deri më tani ka qenë i pamundur. Kjo do të ndikonte që populli serb, ashtu siç ndodhi edhe me popullin gjerman, të lirohet nga hipotekat e së kaluarës, por vetëm me kusht nëse ndodhë një katarsis i brendshëm nacional i serbëve, që fillon me kërkim faljen, reparacionin dhe përfundon me denacifikimin e institucioneve.
Njerëzit në Srebrenicë këtë rezolute duhet kuptuar si një kandil që iu bën dritë të afërmve të tyre të vrarë nga soldateska serbe, por edhe si një shpresë që hijet e së kaluarës të mos errësojnë të ardhmen.
Pas kësaj rezolute, asnjë kriminel serb që ka kryer krime monstruoze, nuk duhet të ndjehet i qetë. Kjo vlen edhe për ata që vranë mbi 13 mijë shqiptarë të Kosovës, që dhunuan mbi 20 mijë gra e vajza dhe që vranë mbi 1400 fëmijë të Kosovës. Me fjalë të tjera, Rezoluta për Srebrenicën duhet të jetë uvertyrë e një ndërmarrjeje të madhe diplomatike e politike të Kosovës, që edhe ajo përmes faktografisë dhe ekspertizës juridike të bëjë Serbinë përgjegjëse për gjenocidin e kryer në Kosovë në 100 vitet e fundit. Një Rezolutë për Kosovën në OKB do të ishte përgjigja më e merituar ndaj politikave gjenocidale serbe dhe rikthimin e besimit dhe miëkuptimit në mes të shqiptarëve dhe serbëve. Pa këtë rezolutë, të gjitha përpjekjet për një amortizim të raporteve të ngrira në mes të Kosovës dhe Serbisë do të përfundojnë pa sukses, kurse përfitues më të mëdhej do të jenë faktorët destabilizues në Ballkan.
Pas Rezolutës për Srebrenicën, do të çjerret maska e nacionalizmit serb i cili ishte i bazuar mbi manipulime dhe gënjeshtra, siç kishte ndodhur edhe me deformimimin e së vërtetës për Luftën e Dytë Botërore nga ana e propagandës serbe. Produkt i kësaj propagande ishte paraqitja e shqiptarëve si bashkëpunëtorë të fashizmit dhe për pasojë arsyetimin e dhunës dhe masakrave mbi ta nga ana e çetnikëve serbë, të cilët brenda natës u transformuan në partizan.
Por, kulla prej kartoni e kësaj propaganda u rrëzua në vitin 1999 me intrevenimin e NATO-s mbi caqet militariste serbe. Kjo ishte edhe një kthesë në politikën ndërkombëtare, sepse ky intrevenim ishte një alarm në formë paralajmëri që në Kosovë të mos ndodhë ajo çka kishte ndodhur në BeH.
Prandaj Rezoluta për Srebrenicën dhe intervenimi i NATOs në vitin 1999 duhet shikuar brenda një kohezioni të brendshëm kuptimor, për arsye se që të dyja këto momente ndërlidhen me të njejtin faktor destabiliteti në Ballkan: me Serbinë dhe frymëzuesen e saj shpirtërore – Kremlinin. Këto dy momente i hapin rrugë shkatërrimit të projekteve gjenocidale serbe dhe vendosjen e parametrave të rij në raportet në mes të fqinjëve, ku e ardhmja e përbashkët evropiane dhe mendësia perendimore do t’ia zinin vendin urrejtjes, paragjykimeve dhe konflikteve. Kjo, mbase, do ta detyroj Serbinë, edhe si shtet, edhe si shoqëri, që të reflektojë, duke i parapërgatitur rrethanat për një lidership të ri evropian, i cili marrëdhëniet me fqinjët do t’i përcaktonte sipas kritereve euroatlantike, e jo sipas recetave luftënxitëse të Moskës.
Zagreb, 24 maj 2024