Provimi i parë i Maturës Shtetërore 2026, ai i Gjuhës së Huaj, u zhvillua sot në të gjithë vendin në kushte normale dhe pa incidente të raportuara. Ndryshe nga vitet e mëparshme, kur shpeshherë procesi është shoqëruar me denoncime dhe publikime të tezave në rrjetet sociale para përfundimit të testimit, këtë vit nuk është raportuar asnjë rast i rrjedhjes së tezës.
Ky zhvillim konsiderohet një tregues pozitiv për standardet e sigurisë dhe administrimit të provimeve kombëtare. Autoritetet arsimore kishin paralajmëruar më herët masa të rrepta kontrolli, monitorim të shtuar dhe zbatim me tolerancë zero të rregullores së Maturës Shtetërore 2026. Sipas njoftimeve zyrtare, procesi po zhvillohet në dhjetëra qendra provimi nën mbikëqyrjen e strukturave përgjegjëse.
Për herë të parë nën drejtimin e ministres së Arsimit, Mirela Kumbaro, provimi i Maturës po zhvillohet pa u shoqëruar me lajme për publikimin e tezës, një fenomen që në vite ka ngritur pikëpyetje mbi integritetin e procesit. Mungesa e incidenteve të tilla është pritur pozitivisht nga maturantët, prindërit dhe komuniteti arsimor.
Provimet e Maturës Shtetërore 2026 do të vijojnë sipas kalendarit zyrtar me provimin e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë më 9 qershor, Matematikën më 16 qershor dhe provimin me zgjedhje më 23 qershor.










