Në Kotor të Malit të Zi zhvillohet sot Samiti i liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.I dërguari i Top Channel gazetari Muhamed Veliu raporton se në këtë samit liderët e vendeve të rajonit, përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara do të diskutojnë Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Samiti do të organizohet nga kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiç. Për herë të parë në një samit të këtij formati marrin pjesë tre kryeministra shqiptarë.

Edi Rama kryeministër i Shqipërisë, Albin Kurti kryeministër i Kosovës dhe Talat Xhaferri i Maqedonisë së Veriut.
Samiti organizohet nën sloganin “Një rajon, vizion i përbashkët” (One region, common vision).

Gjithashtu marrin pjesë edhe Komisioneri Evropian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin Oliver Várhelyi dhe Ndihmës sekretari i Shtetit amerikan për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien,

Përveç liderëve dhe ministrave nga vendet e rajonit, organizatat partnere si Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Banka Evropiane e Investimeve, Banka Botërore, Komuniteti i Transportit, Aleanca Atlantike, Komuniteti i Energjisë, Fondacionet e Shoqërisë së Hapur, ReSPA, GIZ, përfaqësues të lartë të Komisionit Evropian dhe të tjerë.

Muajt e fundit në Shkup dhe Tiranë janë zhvilluar takime ministrore dhe samite rajonale të liderëve të Ballkanit Perëndimor.

Në këto takime, udhëheqësit dhe ministrat e vendeve të rajonit dhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara diskutuan mbi Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili përfshin gjashtë miliardë euro grante dhe kredi për të përshpejtuar afrimin socio-ekonomik me Bashkimin Evropian, pra dy miliardë grante dhe katër miliardë kredi të favorshme të garantuara nga BE.