Kur kryeprokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale në Hagë (GJNP) njoftoi se po kërkonte urdhra-arresti kundër liderëve izraelitë dhe të Hamasit, ai lëshoi një paralajmërim të fshehtë: “Këmbëngul që të gjitha përpjekjet për të penguar, frikësuar ose influencuar në mënyrë të pahijshme te zyrtarët e kësaj gjykate duhet të ndalojnë menjëherë.”
Karim Khan nuk dha detaje specifike të përpjekjeve për të ndërhyrë në punën e GJNP-së, por ai vuri në dukje një klauzolë në traktatin themelor të gjykatës që e bënte çdo ndërhyrje të tillë një vepër penale. Nëse sjellja vazhdon, shtoi ai, “zyra ime nuk do të hezitojë të veprojë”.
Prokurori nuk tha se kush kishte tentuar të ndërhynte në Gjykatën Ndërkombëtare Penale, dhe se si e kishin bërë ekzaktësisht këtë.
Tani, një hetim nga “The Guardian” dhe revistat në Izrael “+972” dhe “Local Call” mund të zbulojë se si Izraeli ka drejtuar një “luftë” sekrete për gati një dekade kundër gjykatës. Izraeli vendosi agjencitë e tij të inteligjencës për të vëzhguar, hakuar, për ti bërë presion, njollosur dhe dyshimti kërcënuar stafin e lartë të GJNP-së në një përpjekje për të prishur hetimet e gjykatës.
Inteligjenca izraelite mori komunikimet e zyrtarëve të shumtë të GJNP-së, duke përfshirë Khan-in dhe paraardhësin e tij si prokuror, Fatou Bensouda, duke përgjuar telefonata, mesazhe, email dhe dokumente.
Mbikëqyrja ishte e vazhdueshme muajt e fundit, duke i dhënë kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, njohuri paraprake për qëllimet e prokurorit. Një komunikim i fundit i përgjuar sugjeroi se Khan donte të lëshonte urdhër-arreste kundër izraelitëve, por ishte nën “presion të jashtëzakonshëm nga Shtetet e Bashkuara”, sipas një burimi të njohur me përmbajtjen e këtij komunikimi.
Fatou Bensouda, e cila si kryeprokurore hapi investigimin e GJNP-së në vitin 2021, duke i hapur rrugën njoftimit të javës së kaluar se po përgatitej një urdhër-arrest ndërkombëtar për Netanyahun, gjithashtu u spiunua dhe dyshohet se u kërcënua.
Netanyahu ka qenë i interesuar për operacionet e inteligjencës kundër GJNP-së dhe u përshkrua nga një burim i inteligjencës si i “fiksuar” me përgjimet rreth rastit. Të mbikëqyrur nga këshilltarët e tij të sigurisë kombëtare, përpjekjet përfshinin agjencinë vendase të spiunazhit, Shin Bet, si dhe drejtorinë ushtarake të inteligjencës, Aman, dhe divizionin e inteligjencës kibernetike, Njësia 8200. Inteligjenca e mbledhur nga përgjimet, thanë burimet, u shpërnda në qeveri, ministritë e drejtësisë, të punëve të jashtme dhe të punëve strategjike.
Një operacion i fshehtë kundër Bensouda, i zbuluar të martën nga “The Guardian”, u drejtua personalisht nga aleati i ngushtë i Netanyahut, Yossi Cohen, i cili në atë kohë ishte drejtor i agjencisë së inteligjencës së jashtme të Izraelit, Mossad. Në një fazë, shefi i spiunazhit kërkoi edhe ndihmën e presidentit të atëhershëm të Republikës Demokratike të Kongos, Joseph Kabila.
Detajet e fushatës nëntë-vjeçare të Izraelit për të penguar hetimin e GJNP-së janë zbuluar nga “The Guardian”, një botim izraelito-palestinez “+972” dhe “Local Call”, një gazetë në gjuhën hebraike.
Hetimi i përbashkët bazohet në intervista me më shumë se dy duzina oficerë të inteligjencës dhe zyrtarë të qeverisë izraelite aktualë dhe të mëparshëm, figura të larta të GJNP-së, diplomatë dhe avokatë të njohur me rastin e GJNP-së dhe përpjekjet e Izraelit për ta minuar atë.
I kontaktuar nga “The Guardian”, një zëdhënës i Gjykatës Ndërkombëtare Penale tha se ishte në dijeni të “aktiviteteve proaktive të mbledhjes së inteligjencës që po ndërmerren nga një numër agjencish kombëtare armiqësore ndaj gjykatës”. Ata thanë se GJNP-ja po zbatonte vazhdimisht kundërmasa kundër një aktiviteti të tillë dhe se “asnjë nga sulmet e fundit kundër saj nga agjencitë kombëtare të inteligjencës” nuk kishte depërtuar në provat thelbësore të gjykatës, të cilat kishin mbetur të sigurta.
Një zëdhënës i zyrës së kryeministrit të Izraelit tha: “Pyetjet e dërguara tek ne janë të mbushura me shumë pretendime të rreme dhe të pabaza që synojnë të dëmtojnë shtetin e Izraelit”. Një zëdhënës ushtarak shtoi: “IDF [Forcat Mbrojtëse të Izraelit] nuk ka kryer dhe nuk kryen operacione të vëzhgimit ose të tjera të inteligjencës kundër GJNP-së”.
Që kur u krijua në vitin 2002, GJNP-ja ka shërbyer si një gjykatë e përhershme finale për ndjekjen penale të individëve të akuzuar për disa nga mizoritë më të këqija në botë. Ajo ka akuzuar ish-presidentin sudanez Omar al-Bashir, presidentin e ndjerë libian Muammar Gaddafi dhe së fundmi presidentin rus, Vadimir Putin.
Vendimi i fundit i prokurorit Karim Khan për të kërkuar urdhër-arreste kundër Netanyahut dhe ministrit të tij të mbrojtjes, Yoav Gallant, së bashku me liderët e Hamasit të implikuar në sulmin e 7 tetorit, shënon herën e parë që një prokuror i GJNP-së ka kërkuar urdhër-arresti kundër liderit të një aleati të ngushtë perëndimor.
Akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit që Khan ka ngritur kundër Netanyahut dhe Gallantit lidhen të gjitha me luftën tetë-mujore të Izraelit në Gaza, e cila sipas autoritetit shëndetësor të territorit ka vrarë më shumë se 35,000 njerëz.
Por, çështja e GJNP-së ka qenë në zhvillim e sipër prej një dekade, në mes të alarmit në rritje mes zyrtarëve izraelitë për mundësinë e urdhër-arresteve, të cilat do t’i pengonin të akuzuarit të udhëtonin në ndonjë nga 124 shtetet anëtare të gjykatës nga frika e arrestimit.
Është ky spektër i ndjekjeve penale në Hagë që një ish-zyrtar i inteligjencës izraelite tha se kishte bërë që “të gjithë strukturat ushtarake dhe politike” ta konsideronin kundërsulmin kundër GJNP-së “si një luftë që duhej të bëhej dhe një luftë ndaj së cilës Izraeli duhej të mbrohej. Kjo (luftë) u përshkrua në terma ushtarakë.”
Ajo “luftë” filloi në janar të vitit 2015, kur u konfirmua se Palestina do t’i bashkohej gjykatës pasi u njoh si shtet nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së. Anëtarësimi i saj u dënua nga zyrtarët izraelitë si një formë e “terrorizmit diplomatik”.
Një ish-zyrtar i mbrojtjes i njohur me përpjekjet e Izraelit kundër GJNP-së tha se bashkimi i Palestinës me gjykatën ishte “perceptuar si kalim i vijës së kuqe” dhe “ndoshta lëvizja diplomatike më agresive” e ndërmarrë nga Autoriteti Palestinez, i cili qeveris Bregun Perëndimor në Izrael. “Të njihesh si shtet në OKB është këndshëm”, shtoi ish-zyrtari i mbrojtjes. “Por GJNP-ja është një mekanizëm me dhëmbë.”
Një kërcënim i dorëzuar dorazi
Për Fatou Bensoudan, një avokate e respektuar nga Gambia, e cila u zgjodh kryeprokurore e GJNP-së në vitin 2012, pranimi i Palestinës në gjykatë solli me vete një vendim të rëndësishëm. Sipas statutit të Romës, traktatit që themeloi gjykatën, GJNP-ja mund të ushtrojë juridiksionin e saj vetëm mbi krimet brenda shteteve anëtare ose nga shtetasit e atyre shteteve.
Izraeli, si SHBA, Rusia dhe Kina, nuk është anëtar i GJNP-së. Pas pranimit të Palestinës si anëtare e GJNP-së, çdo krim i supozuar i luftës, i kryer nga ata të çdo kombësie, në territoret e pushtuara palestineze tani ra nën juridiksionin e kryeprokurores Bensouda.
Më 16 janar 2015, brenda disa javësh nga anëtarësimi i Palestinës, Bensouda hapi një shqyrtim paraprak mbi atë që në ligjin e gjykatës quhej “situata në Palestinë”. Muajin pasues, dy burra që kishin arritur të merrnin adresën private të prokurores u shfaqën në shtëpinë e saj në Hagë.
Burimet e njohura me incidentin thanë se burrat nuk pranuan të identifikoheshin kur mbërritën, por thanë se donin t’i dorëzonin një letër Bensouda-s në emër të një gruaje të panjohur gjermane që donte ta falënderonte. Zarfi përmbante qindra dollarë cash dhe një shënim me një numër telefoni izraelit.
Burime të njohura me këtë incident thanë se ndërsa nuk ishte e mundur të identifikoheshin burrat, ose të vërtetoheshin plotësisht motivet e tyre, u arrit në përfundimin se Izraeli ka të ngjarë t’i sinjalizonte kryeprokurores se e dinte se ku jetonte, përkthen lapsi.al. Gjykata Ndërkombëtare Penale raportoi incidentin tek autoritetet holandeze dhe vendosi siguri shtesë, duke instaluar kamera në shtëpinë e saj.
Hetimi paraprak i GJPN-së në territoret palestineze ishte një nga disa veprime të tilla fakt-mbledhëse që gjykata po ndërmerrte në atë kohë, si një nga veprimet pararendëse për një hetim të mundshëm të plotë. Mes çështjeve që hetoi Bensouda ishin gjithashtu nëntë hetime të plota, duke përfshirë ngjarjet në Republikën Demokratike të Kongos, Kenia dhe rajonin Darfur të Sudanit.
Zyrtarët në zyrën e prokurores besuan se gjykata ishte e objektiv i spiunazhit dhe vendosën masa kundër-mbikëqyrëse për të mbrojtur hetimet e tyre konfidenciale.
Në Izrael, Këshilli i Sigurimit Kombëtar të kryeministrit (NSC) kishte mobilizuar një përgjigje që përfshinte agjencitë e tij të inteligjencës. Netanyahu dhe disa nga gjeneralët dhe shefat e spiunazhit që autorizuan operacionin kishin një interes personal në rezultatin e tij.
Ndryshe nga gjykata ndërkombëtare e drejtësisë (GJND), një organ i OKB-së që merret me përgjegjësinë ligjore të shteteve kombëtare, GJNP është një gjykatë penale që ndjek penalisht individët, duke synuar ata që konsiderohen më përgjegjës për mizoritë.
Burime të shumta izraelite thanë se drejtuesit e IDF-së (ushtria izraelite) dëshironin që inteligjenca ushtarake t’i bashkohej përpjekjes, e cila po udhëhiqej nga agjenci të tjera spiunazhi, për t’u siguruar që oficerët e lartë të mbroheshin nga akuzat. “Na u tha se oficerët e lartë kanë frikë të pranojnë pozicione në Bregun Perëndimor sepse kanë frikë se mos ndiqen penalisht në Hagë”, kujtoi një burim.
Dy zyrtarë të inteligjencës të përfshirë në prokurimin e përgjimeve në lidhje me GJNP-në thanë se zyra e kryeministrit kishte një interes të madh për punën e tyre. Zyra e Netanyahut, tha njëri, do të dërgonte “pikat kryesore ku kishte interes” dhe “udhëzime” në lidhje me monitorimin e zyrtarëve të gjykatës. Një tjetër e përshkroi kryeministrin si “të fiksuar” pas përgjimeve që hedhin dritë mbi aktivitetet e GJNP-së.
Emaile të hakuara dhe telefonata të monitoruara
Pesë burime të njohura me aktivitetet e inteligjencës së Izraelit thanë se ata spiunonin në mënyrë rutinore telefonatat e bëra nga Bensouda dhe stafi i saj me palestinezët. E bllokuar nga Izraeli për të hyrë në Gaza dhe Bregun Perëndimor, përfshirë Jeruzalemin Lindor, Gjykata Ndërkombëtare u detyrua të kryente pjesën më të madhe të research-it të saj me telefon, gjë që e bëri këtë gjykatë më të ndjeshme ndaj mbikëqyrjes.
Falë aksesit të tyre gjithëpërfshirës në infrastrukturën e telekomunikacionit palestinez, thanë burimet, operativët e inteligjencës mund të përgjonin thirrjet pa instaluar viruse në telefonat dhe paisjet e zyrtarëve të Gjykatës Ndërkombëtare Penale.
“Nëse Fatou Bensouda do të fliste me ndonjë person në Bregun Perëndimor ose Gaza, atëherë ajo telefonatë do të hynte në sistemet [e përgjimit]”, tha një burim, përktheu lapsi.al. Një tjetër tha se nuk kishte asnjë hezitim nga brenda për spiunimin e prokurores, duke shtuar: “Bensouda, ajo është e zezë dhe afrikane, kështu që kujt i intereson?”
Sistemi i mbikqyrjes nuk kapi thirrjet ndërmjet zyrtarëve të GJNP-së dhe kujtdo jashtë Palestinës. Megjithatë, burime të shumta thanë se sistemi kërkonte përzgjedhjen aktive të numrave të telefonit jashtë shtetit të zyrtarëve të GJNP-së, thirrjet e të cilëve agjencitë e inteligjencës izraelite vendosën t’i dëgjonin.
Sipas një burimi izraelit, një tabelë e madhe e bardhë në një departament të inteligjencës izraelite përmbante emrat e rreth 60 personave nën vëzhgim, gjysma e tyre palestinezë dhe gjysma nga vende të tjera, duke përfshirë zyrtarë të OKB-së dhe personel të GJNP-së.
Në Hagë, Bensouda dhe stafi i saj i lartë u njoftuan nga këshilltarët e sigurisë dhe nëpërmjet kanaleve diplomatike se Izraeli po monitoronte punën e tyre. Një ish-zyrtar i lartë i GJNP-së kujtoi: “Ne u informuam se (izraelitët) po përpiqeshin të merrnin informacione se ku ishim me ekzaminimin paraprak.”
Zyrtarët gjithashtu u bënë të vetëdijshëm për kërcënimet specifike kundër një OJQ-je të shquar palestineze, Al-Haq, e cila ishte një nga disa grupe palestineze të të drejtave të njeriut që shpesh dërgonte informacion në hetimin e GJNP-së, shpesh në dokumente të gjata që detajonin incidentet që kjo OJQ donte që prokurori të merrte në konsideratë. Autoriteti Palestinez paraqiti dosje të ngjashme.
Dokumentet e tilla shpesh përmbanin informacione të ndjeshme siç janë dëshmitë e dëshmitarëve të mundshëm. Dorëzimet e Al-Haq-it kuptohet gjithashtu se kanë lidhur akuza specifike për krime të statutit të Romës me zyrtarë të lartë, duke përfshirë shefat e IDF-së, drejtorët e Shin Bet dhe ministrat e mbrojtjes si Benny Gantz.
Vite më vonë, pasi GJNP kishte hapur një hetim të plotë për çështjen e Palestinës, Gantz caktoi Al-Haq dhe pesë grupe të tjera të të drejtave palestineze si “organizata terroriste”, një etiketë që u refuzua nga shumë shtete europiane dhe më vonë u gjet nga CIA si etiketim i pambështetur në prova. Organizatat thanë se emërtimet ishin një “sulm i synuar” kundër atyre që angazhoheshin më aktivisht me GJNP-në.
Sipas shumë zyrtarëve aktualë dhe të mëparshëm të inteligjencës, ekipet ushtarake të sulmit kibernetik dhe agjencia e spiunazhit Shin Bet monitoruan sistematikisht punonjësit e OJQ-ve palestineze dhe Autoritetit Palestinez të cilët ishin të angazhuar me GJNP-në. Dy burime të inteligjencës përshkruan se si operativët izraelitë hakuan emailet e Al-Haq dhe grupeve të tjera që komunikonin me zyrën e Bensouda.
Një nga burimet tha se agjencia Shin Bet madje instaloi virusin e famshëm përgjues izraelit, Pegasus, në telefonat e shumë punonjësve të OJQ-ve palestineze, si dhe dy zyrtarëve të lartë të Autoritetit Palestinez.
Mbajtja e shënimeve mbi dorëzimet e materialve nga palestinezët në hetimin e GJNP-së shihej si pjesë e mandatit të Shin Bet, por disa zyrtarë të ushtrisë ishin të shqetësuar se spiunimi i një entiteti të huaj civil kalonte kufirin, pasi nuk kishte të bënte me operacionet ushtarake.
“Nuk ka të bëjë fare me Hamasin, nuk ka të bëjë me stabilitetin në Bregun Perëndimor,” tha një burim ushtarak për mbikëqyrjen e GJNP-së. Një tjetër shtoi: “Ne përdorëm burimet tona për të spiunuar Fatou Bensouda, kjo nuk është diçka legjitime për t’u bërë nga një inteligjencë ushtarake.”
Takime sekrete me Gjykatën Ndërkombëtare Penale
Legjitim apo jo, survejimi i GJNP-së dhe palestinezëve që punojnë çështjen për ndjekje penale kundër izraelitëve i dha qeverisë izraelite një avantazh në një kanal të fshehtë komunikimi që kishte hapur me zyrën e prokurorit.
Takimet e Izraelit me GJNP-në ishin shumë të ndjeshme. Nëse bëheshin publike, ato kishin potencialin të minonin qëndrimin zyrtar të qeverisë se ajo nuk e njihte autoritetin e gjykatës.
Sipas gjashtë burimeve të njohura me takimet, ato përbëheshin nga një delegacion i avokatëve dhe diplomatëve të lartë të qeverisë që udhëtuan për në Hagë. Dy nga burimet thanë se takimet ishin autorizuar nga Netanyahu.
Delegacioni izraelit u mor nga ministria e drejtësisë, ministria e jashtme dhe zyra e Avokatit të Përgjithshëm ushtarak. Takimet u zhvilluan midis viteve 2017 dhe 2019 dhe u drejtuan nga avokati dhe diplomati i shquar izraelit Tal Becker.
“Në fillim kishte tension,” kujton një ish-zyrtar i ICC-së. “Ne futeshim në detaje të incidenteve specifike, dhe thonim: “Ne po marrim akuza për këto sulme, këto vrasje” dhe ata na jepnin informacion.”
Një person me njohuri të drejtpërdrejta për përgatitjen e Izraelit për këto takime të kanalit të fshehtë tha se zyrtarët në ministrinë e drejtësisë ishin pajisur me inteligjencë që ishte mbledhur nga përgjimet izraelite përpara se delegacionet të mbërrinin në Hagë. “Avokatët që u morën me këtë çështje në ministrinë e drejtësisë kishin një etje të madhe për informacione inteligjence,” tha personi në dijeni të takimeve.
Për izraelitët, takimet në kanalin e fshehtë, megjithëse të ndjeshme, paraqitën një mundësi unike për të paraqitur drejtpërdrejt argumentet ligjore që sfidojnë juridiksionin e prokurores mbi territoret palestineze.
Ata gjithashtu u përpoqën të bindin prokuroren se, pavarësisht nga historia shumë e diskutueshme e ushtrisë izraelite për hetimin e keqbërjeve në radhët e saj, ajo kishte procedura të forta për t’i mbajtur forcat e saj të armatosura përgjegjëse.
Kjo ishte një çështje kritike për Izraelin. Një parim thelbësor i GJNP-së, i njohur si komplementariteti, e pengon prokurorin të hetojë ose gjykojë individët nëse ata janë subjekt i hetimeve të besueshme në nivel shtetëror ose procedimeve penale.
Operativëve izraelitë të mbikëqyrjes iu kërkua të zbulonin se cilat incidente specifike mund të ishin pjesë e një ndjekjeje penale të ardhshme të GJNP-së, thanë burime të shumta, në mënyrë që t’u mundësonin organeve hetuese izraelite të “hapin hetimet në mënyrë retroaktive” për të njëjtat raste.
“Nëse materialet do t’i transferoheshin GJNP-së, ne duhej të kuptonim saktësisht se çfarë ishin ato, për të siguruar që IDF-ja t’i hetonte ato në mënyrë të pavarur dhe të mjaftueshme në mënyrë që ata të mund të pretendonin komplementaritet,” shpjegoi një burim.
Takimet e pasme të Izraelit me GJNP-në përfunduan në dhjetor 2019, kur Bensouda, duke njoftuar përfundimin e ekzaminimit të saj paraprak, tha se besonte se kishte një “bazë të arsyeshme” për të arritur në përfundimin se edhe Izraeli, edhe grupet e armatosura palestineze kishin kryer krime lufte në territoret e pushtuara.
Ishte një goditje e fortë për udhëheqësit e Izraelit, megjithëse mund të kishte qenë edhe më keq. Në një lëvizje që disa në qeveri e konsideruan si një justifikim të pjesshëm të përpjekjeve lobuese të Izraelit, Bensouda nuk nisi një hetim zyrtar.
Në vend të kësaj, ajo njoftoi se do t’i kërkonte një paneli gjyqtarësh të GJNP-së që të vendosin mbi çështjen e diskutueshme të juridiksionit të gjykatës mbi territoret palestineze, për shkak të “çështjeve ligjore dhe faktike unike dhe shumë të kontestuara”.
Megjithatë, Bensouda e kishte bërë të qartë se ishte e vendosur të hapte një hetim të plotë nëse gjyqtarët do t’i jepnin dritën jeshile. Pikërisht në këtë sfond Izraeli e rriti fushatën e tij kundër GJNP-së dhe iu drejtua shefit të tij të lartë të spiunazhit për t’i bërë presion Bensoudës personalisht.
Kërcënimet personale dhe një ‘fushatë shpifjesh’
Midis fundit të vitit 2019 dhe fillimit të 2021, ndërsa dhoma e procedurës paraprake shqyrtoi çështjet e juridiksionit, drejtori i Mossad-it, Yossi Cohen, intensifikoi përpjekjet e tij për të bindur Bensoudan që të mos vazhdonte me hetimin.
Kontaktet e Cohen me Bensouda kishin filluar disa vite më parë. Këto kontakte iu përshkruan “The Guardian”-it nga katër persona të njohur me rrëfimet bashkëkohore të prokurorit për ndërveprimet, si dhe burime të informuara për operacionin e Mossad.
Në një nga takimet më të hershme, Cohen e befasoi Bensouda-n kur ai bëri një paraqitje të papritur në një takim zyrtar që ajo po zhvillonte me presidentin e atëhershëm të Republikës Demokratike të Kongos, Joseph Kabila, në një suitë hoteli në Nju Jork.
Burime të njohura me takimin thanë se pasi stafit të Bensouda-s iu kërkua të largohej nga dhoma, drejtori i Mossad u shfaq papritmas nga pas një dere në një “pritë” të koreografizuar me kujdes.
Pas incidentit në Nju Jork, Cohen këmbënguli të kontaktonte me prokuroren, duke u paraqitur pa paralajmërime dhe duke e bërë prokuroren t’i përgjigjej telefonatave të tij, që ajo nuk i donte, përkthen lapsi.al. Ndonëse fillimisht ishte miqësore, thanë burimet, sjellja e Cohen u bë gjithnjë e më kërcënuese dhe frikësuese.
Një aleat i ngushtë i Netanyahut në atë kohë, Cohen ishte një spiun veteran i Mossad-it dhe kishte fituar një reputacion brenda shërbimit si një rekrutues i aftë i agjentëve me përvojë në kultivimin e zyrtarëve të nivelit të lartë në qeveritë e huaja.
Rrëfimet e takimeve të tij sekrete me Bensoudën paraqesin një pamje në të cilën ai kërkoi të “ndërtonte një marrëdhënie” me prokuroren, ndërsa u përpoq ta largonte atë nga ndjekja e një hetimi që, nëse do të vazhdonte, mund të përfshinte zyrtarë të lartë izraelitë.
Tre burime të informuara për aktivitetet e Cohen thanë se ata e kuptonin se shefi i spiunazhit ishte përpjekur të rekrutonte Bensoudan për të përmbushur kërkesat e Izraelit gjatë periudhës në të cilën ajo priste një vendim nga dhoma e paragjykimit.
Ata thanë se ai u bë më kërcënues pasi filloi të kuptonte se prokurorja nuk do të bindej të hiqte dorë nga hetimi. Në një fazë, Cohen thuhet se ka bërë komente për sigurinë e Bensouda-s dhe ka fshehur hollësisht kërcënime për pasojat për karrierën e saj nëse ajo vazhdon. Të kontaktuar nga “The Guardian”, Cohen dhe Kabila nuk iu përgjigjën kërkesave për koment. Bensouda nuk pranoi të komentojë.
Kur ishte prokurore, Bensouda ia zbuloi zyrtarisht takimet e saj me Cohen një grupi të vogël brenda GJNP-së, me qëllimin për të regjistruar besimin e saj se ajo ishte “kërcënuar personalisht“, thanë burime të njohura me deklaratat e Bensoudas.
Kjo nuk ishte mënyra e vetme me të cilën Izraeli kërkoi të bënte presion ndaj prokurores. Në të njëjtën kohë, zyrtarët e Gjykatës Ndërkombëtare Penale zbuluan detaje të asaj që burimet e përshkruan si një “fushatë shpifjeje” diplomatike, që lidhej pjesërisht me një anëtar të ngushtë të familjes së prokurores.
Sipas burimeve të shumta, Mossad kishte marrë një sasi materialesh duke përfshirë transkriptet e një operacioni të dukshëm kundër burrit të Bensouda. Origjina e materialit, dhe nëse ishte i vërtetë, këto mbeten të paqarta.
Megjithatë, elementë të informacionit u qarkulluan nga Izraeli midis zyrtarëve diplomatikë perëndimorë, thanë burimet, në një përpjekje të dështuar për të diskredituar kryeprokuroren. Një person i informuar për fushatën tha se ajo nuk eci në mesin e diplomatëve dhe përbënte një përpjekje të dëshpëruar për të “përçmuar” reputacionin e Bensouda.
Fushata e Trump kundër GJNP-së
Në mars 2020, tre muaj pasi Bensouda e referoi çështjen e Palestinës në dhomën paragjyqësore, një delegacion i qeverisë izraelite thuhet se zhvilloi diskutime në Uashington me zyrtarë të lartë të SHBA-së për “një luftë të përbashkët izraelito-amerikane” kundër GJNP-së.
Një zyrtar i inteligjencës izraelite tha se ata e konsideronin administratën e Donald Trump si më bashkëpunuese se ajo e paraardhësit të tij demokrat. Izraelitët ndiheshin mjaft komod për të kërkuar informacion nga inteligjenca amerikane për Bensouda-n, një kërkesë që burimi tha se do të kishte qenë “e pamundur” gjatë mandatit të Barack Obamës.
Disa ditë përpara takimeve në Uashington, Bensouda kishte marrë autorizimin nga gjyqtarët e GJNP-së për të ndjekur një hetim të veçantë për krimet e luftës në Afganistan të kryera nga talebanët dhe personeli ushtarak afgan dhe amerikan.
Nga frika se forcat e armatosura të SHBA-së do të ndiqeshin penalisht, administrata Trump u angazhua në një fushatë agresive kundër Gjykatës Ndërkombëtare Penale, që kulmoi në verën e vitit 2020 me vendosjen e sanksioneve ekonomike të SHBA-së ndaj Bensoudës dhe një prej zyrtarëve të saj të lartë.
Midis zyrtarëve të GJNP-së, kufizimet financiare dhe të vizave të udhëhequra nga SHBA për personelin e gjykatës besohej se kishin të bënin po aq me hetimin e Palestinës sa edhe me rastin e Afganistanit, përkthen lapsi.al Dy ish-zyrtarë të GJNP-së thanë se zyrtarë të lartë izraelitë u kishin treguar shprehimisht atyre se Izraeli dhe SHBA po punonin së bashku.
Në një konferencë shtypi në qershor të atij viti, figura të larta të administratës Trump sinjalizuan synimin e tyre për të vendosur sanksione ndaj zyrtarëve të GJNP-së, duke njoftuar se kishin marrë informacion të paspecifikuar në lidhje me “korrupsionin financiar dhe keqpërdorimet në nivelet më të larta të zyrës së prokurores”.
Si dhe duke iu referuar çështjes së Afganistanit, Mike Pompeo, sekretari i shtetit i Trump, i lidhi masat e SHBA-së me rastin e Palestinës. “Është e qartë se GJNP-ja po e vë Izraelin në shënjestër vetëm për qëllime të zhveshura politike,” tha ai. Muaj më vonë, Pompeo akuzoi Bensouda-n se ishte “angazhuar në akte korruptive për përfitimin e saj personal”.
SHBA kurrë nuk ka dhënë publikisht ndonjë informacion për të vërtetuar atë akuzë dhe Joe Biden i hoqi sanksionet disa muaj pasi hyri në Shtëpinë e Bardhë.
Por në atë kohë Bensouda u përball me presion në rritje nga një përpjekje e përbashkët në dukje në prapaskenë nga dy aleatët e fuqishëm. Si një shtetase Gambiane, ajo nuk gëzonte mbrojtjen politike që kishin kolegët e tjerë të GJNP-së nga vendet perëndimore për shkak të shtetësisë së tyre. Një ish-burim i GJNP-së tha se kjo e la atë “të dobët dhe të izoluar”.
Aktivitetet e shefit të Mossad, Cohen, thanë burimet, ishin veçanërisht shqetësuese për prokuroren dhe e bënë atë të frikësohej për sigurinë e saj personale. Kur dhoma paragjyqësore më në fund konfirmoi se Gjykata Ndërkombëtare Penale kishte juridiksion në Palestinë në shkurt 2021, disa persona në atë gjykatë madje besonin se Bensouda duhet t’ia linte vendimin përfundimtar për të hapur një hetim të plotë pasuesit të saj.
Megjithatë, më 3 mars, disa muaj përpara përfundimit të mandatit të saj nëntë-vjeçar, Bensouda njoftoi një hetim të plotë në çështjen Palestineze, duke vënë në lëvizje një proces që mund të çonte në akuza penale, megjithëse ajo paralajmëroi se faza e ardhshme mund të marrë kohë.
“Çdo hetim i ndërmarrë nga zyra do të kryhet në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe objektive, pa frikë apo favore,” tha ajo. “Për viktimat palestineze dhe izraelite dhe komunitetet e prekura, ne kërkojmë durim.”
Khan shpall urdhër-arrestet
Kur Khan mori drejtimin e zyrës së prokurorit të GJNP-së në qershor 2021, ai trashëgoi një hetim për të cilin më vonë tha se kishte marrë kërcënime.
Ndërsa ai mori detyrën, hetime të tjera, duke përfshirë ngjarjet në Filipine, Republikën Demokratike të Kongos, Afganistan dhe Bangladesh, konkurruan për vëmendjen e tij dhe në mars 2022, disa ditë pasi Rusia nisi pushtimin e saj në Ukrainë, ai hapi një hetim të profilit të lartë ndaj të dyshuarve rusë për krimet e luftës.
Fillimisht, hetimi politikisht i ndjeshëm ndaj Palestinës nuk u trajtua si prioritet nga ekipi i prokurorit britanik, thanë burime të njohura me rastin. Njëri tha se ishte në fuqi “në raft“, por zyra e Khan e kundërshton këtë dhe thotë se krijoi një ekip të përkushtuar hetimor për të çuar përpara hetimin.
Në Izrael, avokatët kryesorë të qeverisë e konsideruan Khan, i cili më parë kishte mbrojtur komandantët e luftës si ish-presidenti liberian Charles Taylor, si një prokuror më të kujdesshëm se Bensouda. Një ish-zyrtar i lartë izraelit tha se kishte “shumë respekt” për Khan, ndryshe nga paraardhësja e tij. Emërimi i tij në gjykatë u pa si një “arsye për optimizëm”, thanë ata, por ata shtuan se sulmi i 7 tetorit “e ndryshoi atë realitet”.
Sulmi i Hamasit në Izraelin jugor, në të cilin militantët palestinezë vranë afro 1200 izraelitë dhe rrëmbyen rreth 250 njerëz, përfshinte qartë krime të pacipa lufte. Po kështu, sipas mendimit të shumë ekspertëve ligjorë, krime të pacipa lufte shkaktoi edhe sulmi i mëpasshëm i Izraelit në Gaza, i cili vlerësohet të ketë vrarë më shumë se 35,000 njerëz dhe e ka sjellë territorin në prag të urisë përmes pengimit të ndihmës humanitare nga Izraeli.
Në fund të javës së tretë të bombardimeve të Gazës nga Izraeli, Khan ishte në terren në vendkalimin kufitar Rafah. Ai më pas bëri vizita në Bregun Perëndimor dhe në jug të Izraelit, ku u ftua të takonte të mbijetuarit e sulmit të 7 tetorit dhe të afërmit e njerëzve që ishin vrarë.
Në shkurt 2024, Khan lëshoi një deklaratë të formuluar me fjalë të ashpra që këshilltarët ligjorë të Netanyahut e interpretuan si një shenjë ogurzezë. Në një postim në rrjetin social X, Khan në fakt paralajmëroi Izraelin kundër nisjes së një sulmi në Rafah, qyteti më jugor i Gazës, ku më shumë se 1 milion njerëz të zhvendosur ishin strehuar në atë kohë.
“Jam thellësisht i shqetësuar nga bombardimet e raportuara dhe ndërhyrja e mundshme tokësore nga forcat izraelite në Rafah,” shkroi Khan. “Ata që nuk respektojnë ligjin nuk duhet të ankohen më vonë kur zyra ime të ndërmarrë veprime.”
Komentet nxitën alarmin brenda qeverisë izraelite pasi ato dukej se devijonin nga deklaratat e tij të mëparshme për luftën, të cilat zyrtarët i kishin parë si të kujdesshme. “Ai postim na befasoi shumë,” tha një zyrtar i lartë.
Shqetësimet në Izrael për qëllimet e Khan u përshkallëzuan muajin e kaluar kur qeveria informoi mediat se besonte se prokurori po mendonte urdhra-arresti kundër Netanyahut dhe zyrtarëve të tjerë të lartë si Yoav Gallant.
Inteligjenca izraelite kishte përgjuar emailet, dokumentat e dërguara dhe mesazhet mes prokurorit Khan dhe zyrtarëve të tjerë në zyrën e tij. “Gjykata Ndërkombëtare Penale u ngjit në shkallët e prioriteteve për inteligjencën izraelite”, tha një burim i inteligjencës.
Nëpërmjet komunikimeve të përgjuara, Izraeli zbuloi se Khan ishte në një fazë duke konsideruar hyrjen në Gaza përmes Egjiptit dhe donte ndihmë urgjente për ta bërë këtë “pa lejen e Izraelit”.
Një tjetër vlerësim i inteligjencës izraelite, i shpërndarë gjerësisht në komunitetin e inteligjencës, bazohej në mbikëqyrjen e një telefonate midis dy politikanëve palestinezë, përkthen lapsi.al. Njëri prej tyre tha se prokurori Khan kishte treguar se një kërkesë për urdhër-arreste të udhëheqësve izraelitë mund të ishte e pashmangshme, por paralajmëroi se ai ishte “nën presion të jashtëzakonshëm nga Shtetet e Bashkuara”.
Në këtë sfond, Netanyahu bëri një sërë deklaratash publike duke paralajmëruar se një kërkesë për urdhër-arrest mund të ishte e pashmangshme. Ai u bëri thirrje “udhëheqësve të botës së lirë të qëndrojnë me vendosmëri kundër Gjykatës Ndërkombëtare Penale” dhe “të përdorin të gjitha mjetet në dispozicion për të ndaluar këtë lëvizje të rrezikshme”.
Netanyahu shtoi: “Cilësimi i udhëheqësve dhe ushtarëve të Izraelit si kriminelë lufte do t’i shtojë benzinë zjarrit të antisemitizmit”.
Në Uashington, një grup senatorësh të lartë republikanë amerikanë i kishin dërguar tashmë një letër kërcënuese Khanit me një paralajmërim të qartë: “Shënjestroni Izraelin dhe ne do t’ju shënjestrojmë ju”.
Ndërkohë, GJNP-ja ka forcuar sigurinë e saj me kontrolle të rregullta të zyrave të prokurorisë për paisje përgjuese, kontrolle sigurie në pajisjet e punës, vendosjen e zonave pa telefona, vlerësime javore të kërcënimeve dhe futjen e pajisjeve të specializuara. Një zëdhënës i GJNP-së tha se zyra e Khan i ishte nënshtruar “disa formave të kërcënimeve dhe komunikimeve që mund të shiheshin si përpjekje për të ndikuar në mënyrë të padrejtë në aktivitetet e saj”.
Khan zbuloi kohët e fundit në një intervistë me CNN se disa liderë të zgjedhur kishin qenë “shumë të drejtpërdrejtë” me të ndërsa ai përgatitej të lëshonte urdhër-arreste. “Kjo gjykatë është ndërtuar për Afrikën dhe për banditë si Putini. Kështu më tha një udhëheqës i lartë.” – i tha CNN-it prokurori Khan.
Pavarësisht presionit, Khan, ashtu si paraardhësja e tij në zyrën e prokurorit, zgjodhi të ecë përpara. Javën e kaluar, Khan njoftoi se po kërkonte urdhër-arresti për Netanyahun dhe Gallant së bashku me tre liderë të Hamasit për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Ai tha se kryeministri dhe ministri i mbrojtjes i Izraelit u akuzuan për përgjegjësinë për shfarosjen, urinë, mohimin e furnizimeve me ndihma humanitare dhe shënjestrimin e qëllimshëm të civilëve.
Duke qëndruar në një foltore me në krah dy nga prokurorët e tij të lartë, njëri amerikan, tjetri britanik, Khan tha se i kishte thënë vazhdimisht Izraelit që të ndërmarrë veprime urgjente për të respektuar ligjin humanitar.
“Unë theksova në mënyrë specifike se uria si një metodë lufte dhe mohimi i ndihmës humanitare përbëjnë shkelje të statutit të Romës. Nuk mund të isha më i qartë”, tha ai. “Siç e kam theksuar vazhdimisht në deklaratat e mia publike, ata që nuk respektojnë ligjin nuk duhet të ankohen më vonë kur zyra ime të marrë masa. Ka ardhur ajo ditë.” /