Pasi ka analizuar për tre javë kundërshtarët e Europianit, puna e Sylvinho dhe stafit të tij ka qenë të analizojë futbollistët e kombëtares kandidatë për finalet e Gjermanisë.
Braziliani ka patur afro 40 emra në tavolinë nga të cilët do të përzgjedhë maksimumi 26, aq sa lejon UEFA për të grumbulluar në Euro 2024.
Sylvino ka patur siguri për një pjesë të mirë të lojtarëve, nga ata që kanë bërë paraqitjet më të mira në kualifikueset e Europianit. Por boshti kryesor i ekipit duhet të ishte i dubluar edhe nga pankina.
Kjo ka bërë që dilemat e tij të zgjasin dhe të vendosë që listën përfundimtare ta shpallë më 27 Maj, pak ditë para së të nisë zyrtarisht edhe grumbullimi për kampin stërvitor që kombëtarja do të zhvillojë në Austri.
Skuadra do të grumbullohet në qytetin e Grazit në një hotel që ka pranë edhe fusha stërvitore më kushte shumë të larta. Aq sa trajneri e ka konsideruar këtë si një dhuratë nga presidenti Duka për kombëtaren në mënyrë që stafi dhe lojtarët të punojnë të qetë në përgatitje të sfidave të rëndësishme të finaleve të Gjermanisë.
Për rifiniturë të punës së tij do të shërbejnë edhe dy ndeshjet miqësore që do të zhvillohen në stadiumin Haladas në Hungari kundër Lichtenstein dhe Azerbajxhanit.